GJKKO shfryn operacionin e SPAK. I arrestoi si krerë të trafikut të drogës drejt Francë, Gjykata: Nuk ekziston fakti penal
GJKKO rrëzon SPAK lidhur me dosjen e tre të pandehurve të cilët i çoi në gjyq si pjesëtarë të një organizate kriminale të përfshirë në trafik narkotikësh drejt Francës dhe pastrim parash.
Bëhet fjalë për Redian Dodën, Zabit Fisniku dhe Fabi Isaku të cilët u arrestuan në muajin korrik 2024 në kuadër të një operacioni të përbashkët me autoritetet franceze ku u prangosën 19 persona, 3 prej tyre u arrestuan në Shqipëri. Ndërsa dosja u dërgua në gjykatë në dhjetor 2024.
Për çfarë i akuzonte SPAK?
SPAK kishte identifikuar si drejtues të grupit të pandehurit Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, (të arrestuar në Shqipëri) ndërsa i pandehuri Fabi Isaku, dhe bashkëpunëtorët e tjerë të proceduar dhe gjykuar në Francë kishin pasur rolin e ndihmësve.
Sipas SPAK grupi ishte vendosur në Lion të Francës por që furnizonte me drogë edhe 4 qarqe të tjera franceze, si Savojan, Savojan e sipërme, Rhone dhe Ain dhe vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalonte vlerën prej 1 milion euro'
Por çfarë vendimi mori GJKKO?
Për GJKKO-në nuk ekziston fakti penal i trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Njëri prej të pandehurve u shpall i pafajshëm, ndërsa dy të tjerëve u rrëzua akuza e trafikut të drogës dhe e grupit të strukturuar kriminal dhe pastrimi I parave dhe u dënuan vetëm për ‘prodhim dhe shitje të narkotikëve”
GJKKO shpalli të pafajshëm Zabit (alias Artur) Fisniku pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet ‘trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 3 (tre) episode
Po kështu nuk u provua se ekziston fakti penal për akuzën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Ndërsa për Redian Doda alias Refik Doda dhe Fabi Isaku u ndryshua kualifikimi ligjor.
GJKKO ndryshoi akuzën e SPAK për trafik droge, dhe e dënoi Redian Dodën për ‘Prodhim dhe shitja e narkotikëve” me 8 vite burg. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Redian Doda alias Refik Doda, i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 (pesë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
Ndërsa u rrëzuan dy akuza , “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal” pasi fakti penal nuk provohet se ekziston.
Për Fabi Isakun GJKKO ndryshoi kualifikimin ligjor të faktit në ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Fabi Isaku, i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj
Akuzat e SPAK (njoftimi 30 dhjetor 2024)
Njoftimi i SPAK:
"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore (SPH) me autoritetet franceze të drejtësisë përfundoi hetimet dhe ka dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal me Nr. 38 të vitit 2023, në ngarkim të 3 të pandehurve:
1-Redian (alias Refik) Doda – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 5 episode (të datave 22.01.2023, 17.02.2023, 08.03.2023, 13.03.2023 si dhe 18.06.2024), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 287/1 gërmat “a”, “b”, dhe 28/4 në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
iii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
2-Zabit (alias Artur) Fisniku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 3 episode (më konkretisht të datave 22.01.2023, 17.02.2023 dhe 13.03.2023), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
3-Fabi Isaku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 3 (tre) episode (më konkretisht të datave 22.01.2023, 17.02.2023 si dhe 13.03.2023), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, së bashku me autoritetet franceze të drejtësisë janë administruar prova mbi bazën e të cilave ka rezultuar se gjatë periudhës gusht-dhjetor të vitit 2022, autoritetet franceze të drejtësisë kanë filluar një hetim në qarkun e Albertville (73), lidhur me veprimet e një grupi të organizuar kriminal, i cili është marrë me trafikun e drogës.
Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes që ndodheshin në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74). Juridiksioni ndërkrahinor i posaçëm i Lionit ka marrë përsipër dosjen dhe ka hapur një hetim gjyqësor, drejtimi i të cilit i është besuar Seksionit të Kërkimeve të Lionit.
Hetimet bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69).
Nga hetimet e përbashkëta është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve.
Bazuar në hetimet e kryera janë identifikuar si drejtues të pandehurit Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, ndërsa i pandehuri Fabi Isaku, dhe bashkëpunëtorët e tjerë të proceduar dhe gjykuar në Francë kanë pasur rolin e ndihmësve".
Vendimi i GJKKO-se
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale me nr. 38 procedimi, të vitit 2023, ndaj të pandehurve Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku dhe Fabi Isaku. 2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Flojera Davidhi dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 80, datë 11.12.2025 vendosi:
1. Në bazë të nenit 375 të K.Pr.Penale, ndryshimin e kualifikimit ligjor të faktit penal, deklarimin fajtor të të pandehurit Redian Doda alias Refik Doda, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 283, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 8 (tetë) vite burgim.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Redian Doda alias Refik Doda, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 287/1 dhe 28/4 në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja b) të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale
3- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Redian Doda alias Refik Doda, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja a) të K.Pr.Penale, pasi fakti penal nuk provohet se ekziston.
4. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Redian Doda alias Refik Doda, i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 (pesë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
5. Llogaritja e dënimit fillon nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Redian Doda alias Refik Doda do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
6 Në bazë të nenit 375 të K.Pr.Penale, ndryshimin e kualifikimit ligjor të faktit penal, deklarimin fajtor të të pandehurit Fabi Isaku për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 283, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
7. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Fabi Isaku, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 2 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja a) të K.Pr.Penale, pasi fakti penal nuk provohet se ekziston.
8. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Fabi Isaku, i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj.
9. Llogaritja e dënimit fillon nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Fabi Isaku do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
10. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Zabit (alias Artur) Fisniku, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 3 (tre) episode (më konkretisht të datave 22.01.2023 (ep 1), 17.02.2023 (er. 2) si dhe 13.03.2023 (ep. 4), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
11. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Zabit Fisniku, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja a) të K.Pr.Penale, pasi fakti penal nuk provohet se ekziston
12. Bazuar në nenet 261 dhe 389 të Kodit të Procedurës Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj të pandehurit Zabit Fisniku, me vendimin nr. 66 akti, datë 28.06.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
13. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Zabit Fisniku nga paraburgimi, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër të ligjshëm.