Babai e 'detyroi' Erling Haaland-in të ndiqte një tjetër karrierë profesionale dhe nuk kishte të bënte fare me futbollin
Erling Haaland mund të jetë sot sulmuesi më i frikshëm i planetit, por sipas vetë deklarimeve të tij, futbolli nuk ishte rruga që babai i tij kishte imagjinuar për të. Të paktën, jo fillimisht.
Në një intervistë të fundit në podcastin ‘The Rest Is Football’ me Gary Lineker dhe Alan Shearer, ‘ylli’ i Manchester City-t zbuloi se babai i tij, Alf-Inge Haaland, kishte një ëndërr krejt tjetër: ai donte që i biri të bëhej golfist profesionist.
“Është e çuditshme,” – rrëfeu Haaland. – “Sepse ëndrra më e madhe e babait tim ishte që unë të bëhesha golfist profesionist. Kjo ishte ajo që ai dëshironte më shumë.”
Ai tregoi se në moshën 10-vjeçare, babai e “detyroi” të niste golf, dhe për tre vjet rresht Haaland luante golf çdo javë. Përveç kësaj, Alf-Inge e orientoi të birin edhe drejt sporteve të tjera si ski dhe hendboll, duke besuar fort se shumëllojshmëria sportive e ndihmon zhvillimin fizik dhe mendor.
“Drejtori teknik i hendbollit të Norvegjisë donte që unë të luaja hendboll,” – kujton Haaland. – “Mua më dukej në rregull të provoja edhe tenis, edhe hendboll.”
Sipas babait të tij, zhvillimi i aftësive të ndryshme sportive ishte thelbësor:
“Shumëllojshmëria është e rëndësishme. Të lejon të zhvillosh pjesë të ndryshme të trupit dhe kjo është pozitive pavarësisht se çfarë zgjedh në fund.”
Edhe pse rruga e Haalandit nuk përfundoi në golf, rezultatet në futboll kanë qenë të jashtëzakonshme. Në fillim të këtij muaji, ai u bë lojtari më i shpejtë që arrin 100 gola në Premier League, duke e arritur këtë shifër në vetëm 111 ndeshje, rekord që deri tani mbahej nga Alan Shearer me 124 ndeshje.