Amnistia fiskale/ ‘Rrezikojmë krizë ekonomike’, Muçollari: Derë e hapur për pastrimin e parave dhe legalizimin e evazionit fiskal
Nisma e qeverisë për të ashtuquajturën “paqe fiskale”, e cila parashikon faljen e rreth 1 miliard eurove në detyrime të papaguara, po përballet me kritika të ashpra nga ekspertët dhe opozita.
I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv, ligjvënësi demokrat Grigels Muçollari shprehet se mungesa e theksuar e transparencës, rrezikon ta kthejë këtë proces në një mekanizëm për pastrimin e parave dhe favorizimin e bizneseve klienteliste, duke i shkaktuar një dëm afatgjatë ekonomisë së vendit, e cila tashmë jep shenja alarmante.
Duke folur mbi këtë çështje, Muçollari e cilësoi nismën thjesht si një “amnisti fiskale me emër të ndryshuar”, ku mekanizmi mbetet i njëjti: falja e taksave dhe gjobave të vendosura nga institucionet shtetërore.
Problemi kryesor, sipas tij, qëndron te mungesa totale e transparencës, ku qeveria ka refuzuar të bëjë publike listën e individëve dhe kompanive që do të përfitojnë, duke u justifikuar me mbrojtjen e të dhënave personale.
Kjo fshehtësi, sipas deputetit demokrat, ushqen dyshime të forta se procesi është një favorizim për një kategori të caktuar biznesesh, ndërkohë që penalizon sipërmarrësit e ndershëm që i kanë paguar rregullisht detyrimet e tyre.
Veç kësaj, një amnisti fiskale pa transparencë konsiderohet si një derë e hapur për pastrimin e parave dhe legalizimin e evazionit fiskal të kryer ndër vite. Shqetësime të tilla janë ngritur edhe nga Dhomat e Tregtisë, përfshirë atë Amerikane, të cilat e shohin këtë lëvizje, si një goditje ndaj parimit të konkurrencës së lirë. **Rreziku i “katastrofës ekonomike”** Analiza e ekspertit shkon më tej, duke paralajmëruar se ekonomia shqiptare ndodhet “në prag të një katastrofe”.
Treguesit si përkeqësimi i bilancit tregtar, inflacioni i lartë dhe rënia e prodhimit në sektorë kyç si bujqësia, janë sinjale të qarta të një krize të afërt. Në këtë kontekst, amnistia fiskale, edhe pse në afat të shkurtër mund të duket si një zgjidhje për qeverinë, në afatmesëm dhe afatgjatë do të jetë tejet e dëmshme.
Së pari, ajo prish konkurrencën e ndershme, duke vendosur në disavantazh bizneset korrekte. Së dyti, dëmton fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe dekurajon investitorët e rinj për të krijuar biznese të rregullta, duke nxitur një kulturë mosbesimi dhe evazioni.
Pika më e errët e nismës, sipas Muçollarit, është se ajo nuk do të funksionojë për të gjithë shoqërinë në mënyrë të barabartë. Përkundrazi, ekziston bindja se ajo do të shërbejë vetëm për “disa klientë të qeverisë dhe njerëz të afërt me pushtetin”, duke thelluar më tej pabarazinë dhe duke minuar themelet e një ekonomie të shëndetshme.
Mekanizmi se si duan të bëjnë amnistinë fiskale, pasi paqja fiskale është thjesht një fjalë tjetër e gjetur, për t'i bërë PR dhe për të patur një perceptim ndryshe mbi atë çfarë çfarë po ndodh. Bëhet fjalë për një amnisti fiskale, bëhet fjalë për të falur para të taksave dhe, dhe të gjobave të vendosura nga institucionet shtetërore. Tani, ka disa elementë, e para është problemi i transparencës, e cila opozita ka këmbëngulur dhe ka kërkuar që nëse ne po bëjmë një amnisti fiskale që lidhet me disa kritere të caktuara kush ka përfituar nga amnistia, atëherë duhet të kemi publiku, por pse jo dhe deputetët, duhet të kemi publike emrat apo kompanitë të cilat kanë përfituar. Sepse e bërë në mënyrë të fshehtë pa transparencë, lind dyshimi, të jep mundësi të dyshosh për shkelje dhe për përfitime të amnistisë fiskale të kompanive të cilat mbase nuk do të duhet ta përfitonin.
Pasi, në një mënyrë apo një tjetër, dikush që nuk paguan taksat, tatimet ëh, apo sigurimet shoqërore, është në dispozicion, nuk është në një balancë, duke u bazuar në tregun e lirë dhe të ndershëm, në raport me biznesmenët dhe sipërmarrësit e tjerë. Kështu që transparenca është një element i parë të themi kësaj të ashtuquajtur paqe fiskale, e cila duhet të ishte me patjetër. Qeveria është mbrojtur me arsyetimin se preken të dhënat personale. Por për të dhënat personale bëhet fjalë për herë kur ato janë të kryera në mënyrë të rregullt. Por mospagesa e gjobave apo detyrimeve, të themi tatimore apo të detyrimeve dhe sigurimeve shoqërore, bëhet fjalë për një borxh publik, për një gropë në buxhetin e shtetit. Bëhet fjalë për një favorizim, në një mënyrë apo një tjetër, të një kategorie të caktuar, të cilët pjesa tjetër e cila e ka paguar, e cila ka qenë e ndershme me shoqërinë edhe me shtetin, do të duhej të dinte cilat janë këto kompani që do të përfitojnë.
Kështu që, nga momenti i parë kur nuk ka transparencë, është rrezikuar parimi bazë se kujt po i ofrohet kjo amnisti fiskale. Pastaj përtej kësaj, ka dhe dyshime shumë të forta se amnistia fiskale pa transparencë, patjetër që i jep mundësinë e pastrimit të parave, jep mundësinë e evazionit fiskal të bërë ndër vite dhe më pas, të amnistisë ndaj këtyre veprave penale. Që jo më kot janë shqetësimet të dhomave të biznesit, duke përfshirë dhe Dhomën Amerikane të Tregtisë, por dhe shqetësimet e opozitës dhe shqetësimet e shumë bizneseve të tjera të cilët kanë qenë shumë të rregullta me shtetin, kanë qenë shumë të rregullta me shoqërinë dhe me detyrimet që kanë ato për të paguar taksa ndaj shoqërisë shqiptare. Ekonomia shqiptare sot është në prag të një katastrofe të madhe.
Të gjitha treguesit e tregojnë këtë gjë. Duke patur parasysh edhe bilancin tregtar, ku eksportet çdo tremujor, raporti mes importeve dhe eksporteve do tremujor përkeqësohet në nivele shumë alarmante. Duke patur parasysh inflacionin i cili rritja e çmimeve po vazhdon, po rritet dhe nuk po kuptohet arsyeja pse, ndërkohë që dhe raporti mes euros dhe dollarit është shumë i çuditshëm. Për herë të parë, kontributi i, mes sektorit privat dhe atij shtetëror, shkon nga krahu i atij shtetëror. Që do të thotë që kompanitë private dhe tregu privat po prodhon më pak sesa duhet të prodhonte. Ndërkohë që sektorët të cilët e furnizonin ekonominë me punësim, me dhe me të ardhura dhe me rritje të GDP-së, që bëhet fjalë për bujqësinë dhe blegtorinë, po shkon drejt rënies. Kështu që, unë shoh dhe gjykoj që Shqipëria është afër një krize ekonomike, në qoftë se nuk do të merren masa të menjëhershme.