Përplaset me 112 km/h në rrjetat e sigurisë, dërgohet në spital me helikopter skiatorja zvicerane
Momente shqetësuese në St. Moritz për skiatoren zvicerane, Michelle Gisin, dy herë kampione olimpike në kombinimin alpin. Gjatë një seance stërvitore në prag të zbritjes të së premtes, e cila do të hapë sezonin e garave të shpejtësisë në Kupën e Botës për femra, 32-vjeçarja humbi kontrollin dhe u përplas me shpejtësi rreth 112 km/h në rrjetat e sigurisë, pa mundur të ngadalësonte.
Sipas raportimeve të SRF, Gisin qëndroi për disa minuta në anë të pistës, por fatmirësisht pa humbur vetëdijen. Ajo u transportua menjëherë me helikopter drejt spitalit për ekzaminime të detajuara. Federata Zvicerane e Skive nuk ka dhënë ende një diagnozë zyrtare, por frika për një ndalim të gjatë është e pranishme.
“Michelle ishte e vetëdijshme pas rënies. Ajo ankohej për dhimbje në krahun e djathtë dhe në gjurin e majtë”, deklaroi trajneri i skuadrës femërore, Beat Tschuor.
Incidenti solli ndërprerjen e gjatë të provës, e cila në fund u mbyll me kohën më të mirë të regjistruar nga Johana Hählen, me 1'32"70, 13 të qindtat më shpejt se Ester Ledecká. Pas tyre u pozicionuan italianet Sofia Goggia dhe Laura Pirovano, me diferenca prej 21 dhe 22 të qindash.