Bushkolaj: Krimi ka kapur parlamentin, emri i Ramës emërues i përbashkët në dosjet e SPAK

Kandidati Klodian Braho ka marrë shumicën e votave në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke u zgjedhur drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Vendimi vjen në një moment kur SPAK është në qendër të vëmendjes për hetimet ndaj grupeve kriminale dhe çështjeve të korrupsionit.

Në një intervistë në SYRI TV, gazetari Elkier Bushkolaj komentoi zgjedhjen e Brahos, duke e lidhur mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht atë amerikane, me objektivin e luftës kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas tij, Shqipëria gjatë viteve të fundit është shfaqur në hartën ndërkombëtare të narkotikëve, duke kaluar nga kultivimi i kanabisit te përfshirja e grupeve kriminale në trafik ndërkombëtar.

Ai iu referua edhe një dosjeje të SPAK-ut publikuar së fundi, e cila sipas tij tregon itinerarin e një grupi kriminal që nisi aktivitetin nga kultivimi i kanabisit në zonën e Krujës dhe më pas u zgjerua në trafik ndërkombëtar të kokainës.

Bushkolaj u ndal edhe te problematika e pastrimit të parave në Shqipëri, duke përmendur deklaratat e ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili ka theksuar më herët mungesën e referimeve nga institucionet tatimore dhe doganore. Gazetari tha se flukset e parasë së jashtëligjshme kanë ndikuar në kriminalizimin e ekonomisë dhe në rritjen e fuqisë së grupeve kriminale.

Ai përmendi gjithashtu disa raste të hetuara nga SPAK ku, sipas dokumenteve të rrjedhura nga aplikacioni Sky ECC, dyshohet për ndërhyrjen e grupeve kriminale në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar veçanërisht rastet në Durrës dhe dosjet e Çyrbjes e Rrajave.

Duke iu rikthyer çështjeve të korrupsionit, Bushkolaj theksoi se ambasada amerikane kohët e fundit ka rivënë në qendër edhe këtë temë, ndërsa përmendi hetimet e hapura, mes tyre çështjen ndaj ish-ministres Belinda Balluku, që sipas tij ka sjellë tension mes institucioneve.

Gazetari u shpreh se shumë prej dosjeve të SPAK kanë reflektuar problematika në sektorë ku janë të investuar edhe partnerët ndërkombëtarë, si energjia, infrastruktura dhe portet.

Sipas tij, hetimet e SPAK për korrupsion dhe krim të organizuar do të mbeten dy linjat kryesore të mandatit të ri të drejtuesit Braho.

Bushkolaj:

Çka të lë të kuptosh që kjo mbështetje e ambasadës amerikane apo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kandidatin në fjalë, pra për Klodian Brahon, ka emërues të përbashkët këtë objektiv, pra luftën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shpallur karteleve të drogës dhe ne duhet të kemi parasysh që Shqipëria të paktën në gjashtë vitet e fundit është futur dhe në atë hartën e tregtisë ndërkombëtare të lëndëve narkotike.

Pra ne kemi kaluar nga një vend që ishte problematik për partnerët ndërkombëtarë në raport me sigurinë, kryesisht për kultivimin masiv të kanabisit dhe tonelatat e kanabisit drejt Bashkimit Europian, kaluam në fazën e grupeve kriminale që u përfshinë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe jo më larg se dje ishte një dosje e SPAK-ut që faktonte atë intenerarin që ndjek një grup kriminal nga kultivimi masiv i kanabisit te kalimi në tregun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Pra e niste me mbjelljen e sasive të kanabisit në fshatrat e Krujës dhe më pas fuqia kriminale e këtij grupi përforcohej aq shumë saqë merrte përsipër sjelljen e ngarkesave të kokainës nga Ekuadori në portet e Bashkimit Europian. Dhe kam përshtypjen edhe vetë kandidatët e SPAK-ut, kandidatët për kreun e ri të SPAK-ut, sot e vunë shumë theksin tek kriminalizimi masiv i ekonomisë shqiptare dhe kriminalizimi masiv i ekonomisë shqiptare vjen për shkak të këtyre flukseve të pakontrolluara që hyjnë në ekonominë shqiptare, flukse të cilat qeveria ka vendosur që t'i kanalizojë në disa sektorë të caktuar, pasi me sa duket në ato sektorë e ka dhe më të lehtë mbledhjen e këtyre të ardhurave.

Pra de facto kemi një ekonomi apo disa institucione shtetërore që janë vënë në shërbim të parasë kriminale. Ka qenë vetë kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, pra kreu i derisotshëm i SPAK-ut, Altin Dumani që vetë e ka shprehur qartazi që tatimet dhe doganat dhe institucionet e tjera shtetërore nuk e referojnë çështjen e pastrimit të parave. Por kjo çështja e pastrimit të parave ka sjellë një fuqizim tej mase përgjithësisht të grupeve kriminale, të cilat kanë arritur që të depërtojnë jo vetëm në instancat ligjzbatuese, por kanë arritur që të depërtojnë edhe në parlament, pasi ne kemi deputetë që kanë një numër votash të konsiderueshëm që nuk e justifikon as background-i i tyre politik, as background-i i tyre profesionist, madje kanë tejkaluar disa herë me vota edhe kryeministrin.

Ndërkohë që ne në dosje vetë kemi lexuar se si grupe të strukturuara kriminale angazhohen për të zgjedhur deputetët e tyre. Dhe rasti i 2021-shit në Durrës është ndër rastet më flagrante që na erdhi nga Sky ECC, se na erdhi dhe dosja e Çyrbjes nga Sky ECC, na erdhi dhe dosja e Rrajave nga Sky ECC, për të kuptuar pra se si krimi ka penetruar gjerësisht deri në nivelet më të larta në politikë, pasi po flasim për parlament. Patjetër, në mesazhin e djeshëm ishte dhe një element i rëndësishëm, ishte termi korrupsion. Përgjithësisht pra ambasada amerikane përgjatë pesë muajve të fundit pothuajse , e kemi parë të përqëndruar te goditja e grupeve kriminale dhe përgjithësisht pastrimi i parave, por mbrëmë iu rikthye edhe termit korrupsion.

Pse? Se çështjet korruptive në SPAK për hir të së vërtetës janë të shumta, ku më e fundit është çështja Balluku, e cila po sjell dhe një përplasje mes institucioneve gjyqësore edhe institucioneve shtetërore. Por përtej kësaj, duhet të kemi parasysh që kur flasim për çështje që janë në hetim për korrupsion dhe që lidhen me infrastrukturë, si rrugët apo energjia, janë çështje që në mënyrë indirekte përfshijnë edhe partnerët ndërkombëtarë, pasi partnerët ndërkombëtarë janë të investuar në këto drejtime, pra.

Ne kemi partnerë ndërkombëtarë që janë të interesuar për sektorin energjitik të Shqipërisë, që janë të interesuar për sektorin rrugor të Shqipërisë, që janë të interesuar për çështjen e porteve shqiptare, dhe janë sektorë shumë të rëndësishëm që patjetër kanë vëmendjen edhe të partnerëve. Por unë besoj që këto të dyja do jenë linjat kryesore. Kam përshtypjen që deri tani puna e SPAK-ut ka qenë e përqëndruar kryesisht në atë që është korrupsioni ose korrupsioni dhe në nivele të larta, pra për zyrtarëve të lartë, dhe shkuan deri tani në rastin konkret jemi deri tek zonja Balluku, pra në paradhomën e kryeministrit Edi Rama. Pavarësisht se pothuajse në të gjitha dosjet që SPAK ka kaluar deri tani, emri i Edi Ramës de facto të del si emërues i përbashkët në të gjitha, qoftë në ato dosjet e krimit që përmenda pak më herët, apo qoftë ato dosjet e korrupsionit.