Peevski pas dorëheqjes së qeverisë: PP-DB është koalicioni 'Soros', Bullgaria i tha ‘Jo’ oligarkisë
Kryetari i “DPS–Fillim i Ri”, Delyan Peevski, reagoi pas njoftimit të kryeministrit Rosen Zhelyazkov se qeveria ka dhënë dorëheqjen. Para gazetarëve në parlament, Peevski deklaroi se “fituesi është dikush tjetër dhe ai duhet të vijë sot”, duke theksuar se vendimi për dorëheqjen është në dorën e mbajtësit të mandatit dhe partive të koalicionit.
Ai kujtoi se DPS e mbështeti koalicionin qeverisës “për të ndihmuar njerëzit”, si edhe për të garantuar miratimin e një buxheti “shumë social”.
“Ne e mbrojtëm buxhetin dhe i thamë ‘Jo’ oligarkisë. Duhet të kishte taksë mbi dividentët, taksë mbi lojërat e fatit, në mënyrë që të ketë fonde për të gjitha shtresat,” u shpreh Peevski.
Sipas tij, DPS ka mbrojtur idenë se Bullgaria duhet të funksionojë si një shtet social.
Në fund, lideri i “DPS–Fillim i Ri” deklaroi se në situatën aktuale “e gjithë përgjegjësia i takon koalicionit Soros – dua të them PP-DB”.
Delyan Slavchev Peevski është një politikan bullgar, oligark dhe ish-magnat i mediave, i njohur si një figurë tepër kontraverse në politikën dhe jetën publike të Bullgarisë. Ai ka qenë deputet në Parlamentin bullgar që nga viti 2009, kryesisht me partinë Movement for Rights and Freedoms (DPS), e cila tradicionalisht përfaqëson pakicat në Bullgari.
Peevski ka shërbyer si deputet për shumë legjislatura dhe ka pasur pozicione udhëheqëse brenda DPS-it, duke u përfshirë në funksione drejtuese në grupin parlamentar. Rolin e tij brenda partisë e ka forcuar dhe më tej kur mori udhëheqjen e fraksionit DPS – New Beginning, një koalicion politik që ai krijoi pas ndarjeve të brendshme në DPS.
Peevski ka akuzuar prej kohësh George Soros dhe fondacionet e tij dhe gjithashtu lidhjet e tyre me parti, organizata joqeveritare dhe media në Bullgari- duke thënë se ato kanë krijuar një rrjet të fuqishëm ndikimi që sipas tij “komprometon demokracinë” dhe përpiqet të ndikojë në politikë në avantazh të interesave të tyre.Kur Peevski i referohet partive si PP–DB (We Continue the Change – Democratic Bulgaria) si “koalicion Soros”, ai nënkupton që sipas tij këto parti janë të lidhura me rrjetet dhe ndikimet e financuara nga organizata me lidhje tek George Soros - pra një mënyrë retorike për t’i portretizuar si të kontrolluara nga interesa të jashtme apo të fuqizuara nga fondet Soros.