Trump dominon sërish skenën politike globale, sondazhet tregojnë ndikim të jashtëzakonshëm në Evropë
Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka riformësuar balancat politike jo vetëm në SHBA, por edhe në kontinentin evropian dhe kjo tashmë pranohet hapur nga vetë qytetarët e vendeve kryesore të BE-së. Një sondazh ndërkombëtar i Politico, me mbi 10.000 të anketuar nga SHBA, Kanadaja, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, tregon se Trump ka ndikim më të madh në fatet politike të Evropës sesa udhëheqësit e vetë këtyre vendeve.
Sipas sondazhit, për votuesit në Gjermani, Francë dhe Britaninë e Madhe, zgjedhja e Trump në SHBA ka qenë më e rëndësishme për vendin e tyre sesa zgjedhja e udhëheqësve kombëtarë.
Kjo tregon jo vetëm peshën e tij politike globale, por edhe aftësinë e tij për të ndikuar drejtpërdrejt në strategjitë e demokracive të mëdha evropiane.
“Këto rezultate tregojnë se sa shumë Trump ka formësuar bisedën politike gjatë vitit të kaluar, jo vetëm në SHBA, por në nivel global,” deklaroi Seb Reid, kreu i sondazheve në Public First.
Sondazhi thekson se shumica e qytetarëve evropianë besojnë se liderët e tyre nuk kanë qenë në gjendje të menaxhojnë në mënyrë efektive marrëdhënien me presidentin e ri amerikan.
Brukseli vlerësohet ndjeshëm negativisht në këtë drejtim, duke treguar se autoritetet evropiane janë të dobëta përballë një presidenti të fortë dhe të vendosur si Trump.
Politico e renditi Donald Trump në vend të parë në listën vjetore P28, mes personaliteteve që do të ndikojnë më shumë politikën evropiane në vitet në vijim.
Renditja nuk është një çmim, por një vlerësim i fuqisë së ndikimit dhe Trump rezulton të jetë figura me peshën më të madhe politike në kontinent.
Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e Shtëpisë së Bardhë thekson një qasje të qartë dhe të vendosur: SHBA kërkon partnerë të fortë, përgjegjës dhe të orientuar drejt interesave të përbashkëta.
Ky pozicionim i ri shihet si një reagim ndaj dobësive të perceptuara të liderëve evropianë dhe si një përpjekje për forcimin e rolit amerikan në botë një qasje që vlerësohet pozitivisht nga shumë mbështetës të Trump./Syri.Net