'Nuk kemi liderë, kemi ego'/ Mehmeti: Rama më i dëmshëm se i dobishëm për shqiptarinë

Shkrimtari i njohur shqiptar, nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti, ka dhënë deklarata gjatë një aktiviteti kulturor të zhvilluar në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër, ku u pyet nëse sot ekziston një lider shqiptar që i bashkon të gjithë trojet shqiptare.

Sipas Mehmetit, një figurë e tillë nuk ekziston, sepse secili politikan kërkon të jetë “baba i popullit të vet” dhe nuk tregon kujdes të barabartë për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.

Duke iu referuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilin e quajti “piktori”, Mehmeti tha se me sjelljet dhe veprimet e tij, Rama është më i dëmshëm sesa i dobishëm për shqiptarinë. Ndërsa për klasën politike në Kosovë, ai u shpreh se politikanët “sillen sikur janë mendjemëdhenj”.

“Kur nuk janë mirë shqiptarët në Luginën e Preshevës, nuk është mirë as shqiptaria”

Mehmeti theksoi se gjendja e shqiptarëve në Preshevë duhet të jetë shqetësim kombëtar, duke shtuar se shqiptarët e Maqedonisë shpesh trajtohen si “pengje” dhe jo si faktorë të rëndësishëm politikë.

Për rrezikun e luftës në Ballkan: “Shtetet sot ndërtojnë paqe duke u përgatitur për luftë”

I pyetur për mundësinë e konflikteve në rajon, shkrimtari u shpreh se sot vendet ruajnë stabilitetin përmes gatishmërisë ushtarake, duke lënë të nënkuptohet se tensionet në Ballkan mbeten të pranishme.