Deputeti demokrat jep alarmin: Një aromë si e një kufome po vret Elbasanin

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka denoncuar faktin që sipas tij në Elbasan është shpërhapur një aromë që ai e krahason me të një kufome në dekompozim, e cila siç thotë ai “po vret”.

Ja çfarë shkruan Boçi:

Aroma që po vret!

Prej ditësh, krahas tymit të zjarreve që shpresojmë mos rikthehen më në Elbasan, që nga mëngjezi deri në darkë, shpërhapet një aromë qelbëse e padurueshme si e një kufome në dekompozim e sipër!!!!

Më shumë këtë e vuan pjesa jugore dhe ajo jug-perëndimore e qytetit, por sidomos lagjet Skënderbej dhe Katundi i ri.

Është aroma e tymit që vjell inceneratori ankthndjellës i qytetit. Krahasuar me aromën e dikurshme te gropës afër Shkumbinit, kjo e dikurshmja duket si kujtim i një parfumi.

Banorët e shtëpive më afër, po jetojnë ditë tmerri i cili shtohet me intensitetin e aromës së qelbur, të cilën vapa e stimulon më tej. Teoria se janë mbeturinat e peshkut që vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe se kjo situatë do jetë e përkohshme, bie lehtë, po të ballafaqosh mendimet e specialistëve dhe reagimet e qytetarëve e opozitës, në kohën kur ai ndërtohej.

Dalëngadalë nga qyteti i luleve po shndërrohemi në qytetin që qelbet erë!!! Tymi dhe era prej kufome e këtij inceneratori është paralajmërim alarmant për ne e për fëmijët tanë. p.s Mos harroni!

Ky nuk është një status politik.