Kaluan afatet e paraburgimit/ Lirohet nga qelia ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka mësohet se është liruar nga burgu.
Gazetari i Syri TV, Fatjon Gjinaj, raporton se Koka mbahej në qeli prej katër vitesh lidhur me çështjen e inceneratorëve.
Dënimi për inceneratorin e Tiranës mësohet se Koka e ka përfunduar, ndërsa masa e dhënë ndaj tij për Fierin, mësohet se është shuar ndërsa çështja është rikthyer në Apel nga Gjykata e Lartë. Koka gjithashtu për çështjen e inceneratorit të Elbasanit ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit.
Kujtojmë që ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka, ka qëndruar në burg që nga dhjetori i vitit 2021, ndërsa në muajin shtator të këtij viti u dënua me 6 vite e tetë muaj burg. Ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar ndërsa është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave.
Vendimi i GJKKO:
1. Kërkuesi Lefter Koka ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit dhënë shtetasit Lefter Koka, me vendimin nr.22, datë 23.06.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e zbatuar nga policia gjyqësorë në datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe e lënë në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.03.2022, të po kësaj gjykate”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, me vendimin nr. 798, datë 11.12.2025, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.22 datë 26.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masë e ekzekutuar më datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe masë e vijuar me vendimin Nr.23, datë 31.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Lefter H. Koka, në zbatim të nenit 263/6/c të K.Pr.Penale, përshkak se kohëzgjatja tërësore e paraburgimit ka kaluar mbi tre vjet.
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i kërkuesit Lefter H. Koka, nga ambjentet e paraburgimit, përveçse nëse ndaj këtij shtetasi ka ndonjë masë tjetër sigurimi personal me karakter shtrëngues parashikuar nga nenet 238 K.Pr.Penale, urdhër ndalimi, apo dënim tjetër penal me burgim të formës së prerë, të pavajtuar.
4. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
6. Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.