Takimi Trump-Netanyahu/ SHBA-të pritet të shpallin Bordin e Paqes në Gaza në fund të dhjetorit
Shtetet e Bashkuara planifikojnë të njoftojnë zyrtarisht krijimin e Bordit të Paqes — bordi ndërkombëtar i ngarkuar me mbikëqyrjen e menaxhimit të Gazës sipas planit të paqes të Uashingtonit për Rripin e Gazës — në fund të këtij muaji, tha një zyrtar i lartë evropian i informuar për këtë çështje për The Times of Israel.
Zyrtarëve që punojnë për të çuar përpara fazën e dytë të planit — në koordinim me Izraelin, SHBA-në dhe vendet e tjera ndërmjetësuese — fillimisht iu dha një datë specifike nga amerikanët për njoftimin e Bordit të Paqes, në mes të dhjetorit. “Kjo datë është zhdukur që atëherë”, thotë zyrtari, duke shtuar se Uashingtoni tani ka lënë të kuptohet, se “mund të mos jetë kaq shpejt”.
Që atëherë, afati kohor i pritur është zhvendosur në fund të këtij muaji, gjatë vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në SHBA, ku ai do të takohet me presidentin e SHBA-së Donald Trump për të diskutuar avancimin e planit, shton zyrtari.
Sapo të shpallet Bordi i Paqes, i cili do të drejtohet nga Trump, ky organ do të shpallë një “komitet ekzekutiv” të ndërmjetëm, i cili më pas do të emërojë komitetin e teknokratëve palestinezë që do të mbikëqyrë menaxhimin e përditshëm të Rripit, sipas zyrtarit.
Komentet e zyrtarit u bënë pak përpara se i dërguari i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, të thoshte se pret që së shpejti të bëhen njoftime mbi komponentët e fazës së dytë të planit, duke përfshirë Bordin e Paqes, komitetin e teknokratëve palestinezë dhe forcën ndërkombëtare që do të patrullonte Rripin e Gazës.
Zyra e Netanyahut njoftoi këtë mbrëmje se takimi i kryeministrit me Trump do të zhvillohet në resortin e presidentit Mar-a-Lago në Florida më 29 dhjetor dhe se udhëtimi i tij do të zhvillohet nga 28 dhjetori deri më 1 janar./ Times of Israel.