Alarm nga Marina Mbretërore: Po humbasim epërsinë detare në Atlantik përballë Rusisë

Kreu i Marinës Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar se vendi rrezikon të humbasë dominimin në Atlantik ndaj Rusisë, nëse qeveria nuk përshpejton dhe nuk rrit financimin për mbrojtjen detare.

Gjenerali Sir Gwyn Jenkins deklaroi se, nëse trendi aktual vazhdon, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, anijet dhe nëndetëset britanike mund të mos jenë më forca kryesore në korridoret strategjike detare, krah flotave të aleatëve të NATO-s.

‘Jemi ende në lojë, por me vështirësi,’ u shpreh ai gjatë një konference në Londër. ‘Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Kundërshtarët tanë po investojnë miliarda. Edhe ne duhet të ecim përpara, përndryshe do të humbasim avantazhin.’

Edhe pse, si oficer i lartë në detyrë, Jenkins shmangu kritikat direkte ndaj ritmit të planeve të qeverisë së Sir Keir Starmer për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, raportet e Sky News tregojnë për tensione të brendshme. Sipas burimeve të mbrojtjes, ai dhe kolegët e tij kanë zhvilluar muajin e kaluar një ‘takim shumë të vështirë’ lidhur me mënyrën e financimit të modernizimit të forcave të armatosura, mes frikës për shkurtime shtesë.

Burime të tjera thanë se në nivelet më të larta të ushtrisë po rritet shqetësimi për diferencën midis premtimeve politike për rimëkëmbjen e mbrojtjes britanike dhe realitetit të buxhetit aktual, i cili shihet si i pamjaftueshëm. Kjo nënkupton se qeveria duhet ose të gjejë me urgjencë miliarda paund shtesë, ose të reduktojë ambiciet e modernizimit, pavarësisht rritjes së kërcënimeve nga Rusia dhe Kina, si edhe presionit të Presidentit Trump mbi aleatët për të rritur shpenzimet ushtarake.

Në fjalimin e tij, Jenkins theksoi se Rusia vazhdon të investojë fuqishëm në kapacitetet e saj detare, veçanërisht në Flotën Veriore që operon në Atlantik, pavarësisht angazhimit në luftën kundër Ukrainës. Ai bëri të ditur se, gjatë dy viteve të fundit, inkursionet ruse në Atlantikun e Veriut janë rritur me 30 për qind.

Një nga rastet më të fundit ishte shfaqja pranë brigjeve të Skocisë e anijes ruse të spiunazhit Yantar, e cila, sipas tij, drejtoi madje një lazer drejt pilotëve të një aeroplani zbulues të RAF-it që po monitoronte lëvizjet e saj.