Bozdo: PPP-të, mjet grabitjeje! Stop koncesioneve që vijnë si kërkesë e pakërkuar, të vendoset analiza 'Vlerë për Para'

Deputeti Eno Bozdo ka depozituar sot në Kuvend amendimet për projektligjin “Për Koncensionet dhe Partneritetin Publik Privat”, një nismë thelbësore për ekonominë, konkurrencën dhe klimën e biznesit në vend.

Sipas Bozdos, projektligji u shqyrtua një ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, ku të gjitha vërejtjet dhe propozimet e Opozitës u refuzuan plotësisht.

Amendimet e depozituara synojnë të forcojnë transparencën dhe luftën kundër korrupsionit, shton ndër të tjera deputeti Bozdo.

Postimi:

Sot depozitova në Kuvend, amendimet për projektligjin “Për Koncensionet dhe Partneritetin Publik Privat”, i cili është një ndër aktet më të rëndësishme për sektorin ekonomik, konkurrencën dhe klimën e biznesit në vend.
Projektligji u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, ku vërejtjet dhe propozimet e Opozitës u refuzuan tërësisht!

Amendimet synojnë:

1. Të vendosin analizën “Vlerë për Para” (Value for Money), një koncept kryesor ky i analizës për dhënien apo jo të Koncensionit/PPP, si një mekanizëm i cili përcakton me transparencë dhe nuk mund të ndikohet dhe as korruptohet, si dhe detyrimin që ky studim të jetë publik;

2. Ndalimin e Koncensioneve/PPP që vijnë si kërkesë e pakërkuar, nga sektori privat;

3. Rritjen e trasparencës kundrejt publikut në detyrimin për konsultim public të detyrueshëm si dhe  publikimin e plotë të akteve, kontratave, anekseve të tyre, më qëllim që cdo individ të njihet për mënyrën e përdorimit të parave publike;

4. Dhe një sërë dispozitash të tjera që rrisin trasparencën, luftojnë korrupsionin dhe e bëjnë llogaridhënien e zyrtarëve të detyrueshme.