Van Basten shpërthen ndaj Salah: Reagim i turpshëm, ka trurin e një brumbulli!

Marco van Basten ka komentuar me tone të ashpra shpërthimin e Mohamed Salah ndaj Liverpool-it dhe trajnerit Arne Slot gjatë fundjavës. Legjenda holandeze nuk e kurseu aspak ‘yllin’ egjiptian, duke e kritikuar hapur për mënyrën se si u shpreh publikisht kundër klubit.

“Do të thoja: ka trurin e një brumbulli,” u shpreh Van Basten, duke përdorur një krahasim të rëndë. “Nëse reagon në atë mënyrë… vitin e kaluar luajti shumë mirë, por këtë sezon nuk është aspak në nivel.”

Sipas tij, Salah po tregon sjellje të gabuar prej muajsh dhe nuk po e përballon si duhet situatën sportive. Van Basten theksoi se performancat e sulmuesit janë larg pritshmërive, duke shtuar se kritikat e egjiptianit ndaj trajnerit kanë qenë plotësisht të pajustifikuara.

Ai gjithashtu mbrojti Arne Slot: “Slot është i ndershëm dhe i drejtë. Nuk i shmanget konfrontimit dhe nuk thotë asgjë të pamenduar. Salah, në të kundërt, sulmoi personalisht njeriun dhe reagoi krejtësisht gabim.”

Deklaratat e Van Basten shtojnë edhe më shumë tension në një moment ku e ardhmja e Salah te Liverpool është bërë temë e nxehtë, mes mosmarrëveshjeve të brendshme dhe zërave të fortë për një largim të mundshëm në janar.