Berisha: Paketa kundër shpopullimit kushton sa një e pesta e vjedhjeve të qeveritarëve në një vit

Gjatë një prononcimi publik ditën e sotme, Sali Berisha u ndal te paketat ekonomike të propozuara për frenimin e shpopullimit, duke theksuar se kostoja e tyre është plotësisht e përballueshme për buxhetin e shtetit.

Kreu i PD u referua të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të ilustruar se fondet e nevojshme për paketën përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të shpenzimeve që janë evidentuar në raportet vjetore mbi administrimin financiar.

Berisha solli një sërë shembujsh nga projektet infrastrukturore të viteve të fundit, duke i përdorur si argument për pyetjet që ngre mbi mënyrën e përdorimit të fondeve publike.

Pjesë nga deklarata:

Anisa, kjo faturë, në qoftë se ju lexoni KLSH-në, aktet e kontrollit të tyre, jo 1-vjeçare, 9-mujore, kjo faturë është një e katërta e vjedhjeve të qeveritarëve.
Vjedhjet qeveritare në një vit, sipas KLSH, që nuk mund të jenë kurrë në thellësinë maksimale, janë mbi 1 miliard e 200 milionë.
Këto janë më pak, këto janë një e pesta e vjedhjeve qeveritare.
Absolutisht e mundshme.
Por unë ndjej keqardhje të madhe kur shqiptarët, por veçanërisht media, nuk shtrojnë pyetjen se ku shkuan 67 miliardë euro të qytetarëve shqiptarë në 12 vite.
Urdhëroni ku janë.
Rruga Qukës- Qafë Plloçë, ku është rruga?
370 milionë euro nga 73 milionë euro e planifikuar.
Rruga Korçë-Ersekë 17 km, se 18 i kishim ndërtuar ne me 800 mijë euro kilometri. E dini vetë sa shkuan.
Ku është rruga? E shembur përsëri.
Rruga Kardhiq-Delvinë, edhe ajo e ndërtuar në 12 kilometrat e para. Segmenti i tyre u shemb përsëri.
Rruga e Arbrit.
Dhe këto janë 67 milardë, se vetëm Lubia ka administruar 12 miliardë euro. 
Ku janë?
U them unë ju, për ta pasur një ide, autostrada Rrëshen-Morinë, hiq segmentin Milot-Rrëshen, superstrada Hani i Hotit-Shkodër, Shkodër-Muriqan, Shkodër-Velipojë, Milot- Fushë Krujë, Rrogozhinë-Lushnje-Fier, Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Korçë- Qafë Pllocë, Devoll- Korçë, 32 kilometra të Rrugës së Arbrit, rruga Orikum-Sarandë, rruga e bregut, rindërtimi i rrugës Pukë-Kukës, rrugë që u ngjitën në të gjitha majat e vendit, Gjirokastër-Çajup, Korçë-Vithkuq, Korçë-Liqeni i Prespës, Librazhd-Çermenikë, Kukës-Peshkopi, Kukës-Novosej, Tropojë-Valbonë, Hani i Hotit-Bogë, Hani i Hotit-Leqet e Hotit.
Të gjitha këto së bashku dhe mijëra kilometra të tjera rrugë dytësore dhe tretësore kanë kushtuar absolutisht asnjë qindarkë më shumë se 5 miliardë euro.
12 miliardë Lubia.
Pra, shikoni 11.300 kilometra rrugë janë ndërtuar me më pak 5 miliardë.
Për të pasur të qartë shqiptarët se ç’gropë e zezë e tmerrshme ka qenë kjo qeveri.