Kuzhina Italiane shpallet zyrtarisht Pasuri Botërore e UNESCO-s

Kuzhina Italiane është futur në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO, duke marrë një prej vlerësimeve më të rëndësishme ndërkombëtare për kulturën, traditat dhe identitetin e një populli.

Ministri italian i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pyjeve, Francesco Lollobrigida, e përshëndeti vendimin duke thënë:

“Kuzhina Italiane është Pasuri e Njerëzimit. Sot ka fituar Italia dhe është një festë që i përket të gjithëve, sepse flet për rrënjët tona, krijimtarinë dhe aftësinë për ta shndërruar traditën në vlerë universale.”

Ai shtoi se ky vlerësim nderon jo vetëm kulturën italiane, por edhe njerëzit që e mbajnë gjallë atë çdo ditë:

“Kjo është festa e familjeve që ruajnë shijet e vjetra, e bujqve që kujdesen për tokën, prodhuesve që punojnë me pasion dhe restoranteve që e çojnë autenticitetin italian në mbarë botën.”

Sipas ministrit, raporton gazetarja e Syri TV Alba Kepi, njohja nga UNESCO do të sjellë më shumë vlerësim ndërkombëtar për produktet italiane, territorin dhe zinxhirët e prodhimit, si dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e markës Made in Italy nga abuzimet dhe imitimet. Për më tepër, kjo hap rrugën për mundësi të reja pune, zhvillim lokal dhe forcim të identitetit kulturor.

Vendimi përfshin dhe vlerësimin se kuzhina italiane nuk është thjesht një grup recetash, por një traditë e thellë shoqërore, një mënyrë jetese dhe një trashëgimi e transmetuar brez pas brezi, e cila tashmë zyrtarisht konsiderohet pasuri e njerëzimit.

Kronologjia e njohjes

•      23 mars 2023 – Qeveria italiane dorëzoi zyrtarisht kandidaturën për Kuzhinën Italiane si Trashëgimi Jomateriale e Njerëzimit.

•      10 nëntor 2025 – UNESCO publikoi vlerësimin teknik pozitiv, duke dhënë “po” për kandidaturën dhe e kualifikoi për votim përfundimtar.

•      8–13 dhjetor 2025 – Komiteti Ndërqeveritar i UNESCO-s në New Delhi, Indi, pritet të japë vendimin përfundimtar.

Kuzhina Italiane, sipas UNESCO-s, nuk është thjesht një grup recetash, por një traditë shoqërore, një mënyrë jetese dhe një trashëgimi e transmetuar brez pas brezi, tashmë e njohur si pasuri e njerëzimit.