Fonde publike për punime fiktive/ Gjinaj: U paguan miliona për pallate që ishin shembur, kallëzimi u bë nga...
Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një skemë abuzimi me fondet e rindërtimit, duke lëshuar urdhër-arreste për tetë persona, përfshirë zyrtarë të lartë dhe përfaqësues biznesesh. Pas një hetimi katërvjeçar, janë vënë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh,drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Aurel Çuko, dhe drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile, Aurel Boriçi, për të cilët gjykata ka caktuar masën "arrest shtëpie".
Gazetari Fation Gjinaj raporton për SYRI se sipas organit të akuzës, në skemën e abuzimit janë përfshirë edhe Elena Guçe, Rexhina Rakipi, Sokol Çehajaj, Shyqyri Maloku, Aleksandra Muhamedllari dhe Fatmir Firi, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie "detyrim paraqitjeje". Hetimi ka nisur pas kallëzimit të shtetasit Asqeri Xhanari në vitin 2021, i cili pretendonte se zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) kishin shpërdoruar detyrën gjatë procesit të rindërtimit në zonën e Kombinatit, një nga më të prekurat nga tërmeti.
Nga hetimet rezultoi se zyrtarët kanë dëmtuar buxhetin e shtetit duke dhënë fonde publike për punime fiktive. Konkretisht, në mars të vitit 2021, Bashkia Tiranë i ka dhënë një tender kompanive “Arben Trans 2010” dhe “Klajger Construction”, me mbikëqyrës “Maging Studio”, për shembjen e 15 pallateve të dëmtuara. Por, hetimi zbuloi se gjashtë prej këtyre pallateve ishin shembur tashmë që në janar të atij viti, me mjetet e vetë Bashkisë, dhe pavarësisht kësaj ishin përfshirë sërish në tender, duke u paguar dy herë për të njëjtin shërbim.
Kallëzimi që vuri në lëvizje prokurorinë u bë nga një qytetar, pallati i të cilit ishte prishur. Ai i ishte drejtuar Këshillit Bashkiak Tiranë për të mësuar nëse ekzistonte një vendim për prishjen e banesës së tij në rrugën "Haki Stërmilli". Përgjigja zyrtare konfirmoi se nuk kishte asnjë vendimarrje nga ana e Këshillit për shembjen e atij pallati. Duke qenë se ndërtesa ishte prishur më 28 janar 2021, para marrjes së përgjigjes zyrtare, qytetari ngriti dyshime se veprimi ishte kryer pa një akt ligjor nga autoriteti kompetent.
Pas mbledhjes së provave, përfshirë sekuestrimin e dokumenteve dhe pajisjeve elektronike, prokuroria arriti në përfundimin se tetë të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, duke përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e rindërtimit.
Gjinaj:
Përkatësisht Prokuroria e Tiranës pas një hetimi katërvjeçar doli ditën e djeshme me një njoftim zyrtar lidhur me abuzimet e fondeve të rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar që ndodhi vite më parë dhe një nga zonat më të prekura ishte e ajo e Kombinatit. Arrest shtëpie është Aurel Çuko, drejtor i përgjithshëm i emergjencave civile, për kryerjen e veprave penale, shpërdorim detyre dhe falsifikimit të dokumenteve, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.
Në të njëjtën masë është Aurel Boriçi, drejtor i drejtorisë së emergjencave civile për kryerjen e veprave penale, shpërdorim detyre dhe falsifikimi i dokumentave, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë. Për vepra të ngjashme penale kanë masa edhe një sërë personash të tjerë, mes të cilëve Elena Guçe, Rexhina Rakipi, Sokol Çehajaj, Shyqyri Maloku, Aleksandra Muhametllari dhe Fatmir Firi.
Por çfarë ndodhi me këtë çështje dhe si ishte indicia mbi hetimin e prokurorit Bledar Valikaj? Bëhet fjalë për një kallëzim të vitit 2021 të shtetasit Asqeri Xhanari, teksa ky i fundit pretendonte se zyrtarët e bashkisë dhe IMT-së kishin kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas organit hetues, zyrtarët dëmtuan buxhetin duke marrë fonde publike për punime fiktive, teksa konkluzioni i gjithë këtyre hetimeve që duhet theksuar janë të gjata në kohë, prej katër vitesh, arriti në përfundimin se tetë persona, mes të cilëve edhe zyrtarë të bashkisë apo IMT-së, kanë kryer vepra penale që kanë të bëjnë me falsifikimin e dokumentave, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe shpërdorim detyre.
Përkatësisht, si përfaqësuese e subjektit Arben Trans 2010 SHPK dhe Klajger Construction SHPK dhe mbikqyrës i punimeve, subjekti Maging Studio SHPK, në mars të vitit 2021, ka fituar një tender nga Bashkia Tiranë për shembjen e 15 pallateve. Gjashtë prej këtyre pallateve kanë qenë të shembura në janar të vitit 2021 me mjetet e Bashkisë Tiranë, por janë përfshirë sërish në tenderin e marsit të po atij viti.
Në këtë lloj forme, me ndihmën e pesë zyrtarëve të bashkisë, subjekti privat është paguar për shembjen e 15 pallateve, ndërkohë që gjashtë prej tyre janë shembur me mjetet e bashkisë disa javë para tërmetit. Prokuroria e kryeqytetit iu drejtua gjykatës për caktimin e masave të sigurisë në lidhje me zyrtarët që shpërdoruan detyrën apo u përfshinë në skema të rënda të falsifikimit, me kërkesë për masa sigurie të tilla.
Nëse ndalemi tek dosja hetimore e prokurorisë së Tiranës, të cilin Syri Televizion e disponon të plotë, bëhet me dije se për të ndërmarrë një veprim të tillë hetimor me regjistrimin e procedimit penal të vitit 2021, është bërë pikërisht mbi kallëzimin e shtetasit që cituam më herët të identifikuar si Asqeri Xhanari. Konkretisht, kallëzimi penal është bërë në datën 9 Prill 2021 për shpërdorim detyre. Ai pretendonte se i ishte drejtuar Këshillit Bashkiak të Tiranës, nëse ka ndonjë vendimmarrje nga ana e tyre për prishjen e pallatit ku në njërin prej tyre ai jetonte dhe sipas shkresës me numër përkatës dhe datën përkatëse, të Këshillit Bashkiak rezulton se nuk ka një vendimmarrje nga ana e Këshillit Bashkiak Tiranë për shembjen e pallatit numër 140 në rrugën Haki Stërmilli në kryeqytet.
Kallëzuesi sqaron se fakti që pallati është prishur në datën 28.01.2021, para datës së përgjigjes së Këshillit Bashkiak e bazuar në këtë të fundit, natyrshëm i lind bindja që prishja e pallatit ka ndodhur pa një akt të autoritetit kompetent e në shpërdorim detyre. Kaq është dashur që të krijohet edhe indicia që ai t'i drejtohet organeve të drejtësisë dhe këto të fundit të regjistrojnë një procedim penal ku duke ndjekur metoda të ndryshme të hetimit, përfshirë edhe sekuestrimin e dokumentacioneve, materialeve, pajisjeve telefonike e kompjuterike, u arrit në konkluzionin se ishte konsumuar nga tetë zyrtarët apo përfaqësuesit e shoqërive që ishin palë në këtë proces, kryerja e veprës penale të falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës.