Alarm në Britaninë e Madhe për shkak të përhapjes së shpejtë të gripit sezonal
Një alarm ka nisur në Britaninë e Madhe për shkak të përhapjes së shpejtë të gripit sezonal, me shkolla në disa zona të vendit që po zbatojnë masa emergjente dhe, në disa raste, edhe ndërprerje të përkohshme të aktivitetit. Sipas të dhënave më të fundit, rastet e infeksioneve respiratore në shkolla dhe institucione të tjera arsimore janë dukshëm më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
SezonI e gripit këtë vit ka nisur më herët se zakonisht, ndërsa disa spitale kanë kërkuar nga personeli, pacientët dhe vizitorët të mbajnë maska.
Në një shkollë fillore në Leeds, drejtoria njoftoi ndërprerjen e përkohshme të aktiviteteve grupore, si këndimi në tubime.
Ndërkohë, një shkollë në Caerphilly, Uells, ndërpreu përkohësisht aktivitetin e saj si “masë parandaluese”, pasi më shumë se 250 fëmijë dhe anëtarë të stafit sëmurën me simptoma gripi.
Në Irlandën e Veriut, drejtori i një shkolle në kontenë Londonderry përshkroi situatën si “një rikthim në ditët e Covid-19”, pasi 170 nxënës munguan në të njëjtën ditë për shkak të sëmundjes.
Shërbimi i Sigurisë Shëndetësore i Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) regjistroi 107 raste akute respiratore në shkolla të Anglisë vetëm gjatë javës së fundit të nëntorit, krahasuar me vetëm 15 raste në të njëjtën javë vitin e kaluar, sipas BBC.
LEXO EDHE: Shpërthen virusi i rrezikshëm në Britani, mbyllen disa shkolla
Si “rast akut respirator” konsiderohet kur shfaqen të paktën dy raste brenda pesë ditëve në të njëjtin ambient shkollor. Infeksionet mund të lidhen me gripin, RSV, Covid-19 ose të ftohtin e zakonshëm.
Nga 107 rastet:
17 lidhen me grip të konfirmuar
2 me Covid-19
76 raste ende nuk kanë një shkak të konfirmuar
Po ashtu, norma e pozitivitetit në testime është 17.1%, nga 11.6% një javë më parë.
Në qarkullim është shtama e mutuar H3N2, e njohur si “shtama K”, e cila nuk është përhapur gjerësisht vitet e fundit dhe për këtë arsye popullata ka imunitet të kufizuar.
Në Wigton Moor Primary School në Leeds, një nga gjashtë nxënës mungoi në një ditë për shkak të temperaturës së lartë dhe kollës së fortë. Drejtoresha e shkollës e përshkroi vitin si “më i keqi në nivel sëmundjesh” që kur nisi të punojë në arsim para 14 vitesh.
Ministria e Arsimit e Anglisë thekson se mbyllja e shkollave duhet të jetë masa e fundit. Megjithatë, ajo pranon se vala e këtij viti është veçanërisht sfiduese për arsim dhe Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS).
Udhëzimet për shkollat përfshijnë:
Ventilim të shpeshtë të klasave
Përdorim të pajisjeve për matjen e dioksidit të karbonit
Forcim të higjienës së duarve
Informim mbi rëndësinë e vaksinimit
Në Angli, të gjithë fëmijët nga parashkolla deri në shkollën e mesme kanë të drejtë për vaksinim falas në shkolla, ndërsa fëmijët më të vegjël mund të vaksinohen në klinika.
Sekretari i Përgjithshëm i Unionit të Drejtorëve të Shkollave dhe Kolegjve deklaroi se situata është “veçanërisht e vështirë për t’u menaxhuar” dhe nuk përjashtohet që, kur është e nevojshme, të ketë mbyllje të pjesshme ose të plotë të shkollave.
Megjithatë, ai theksoi se qëllimi i shkollave është të minimizojnë ndikimin në procesin mësimor dhe të mbështesin nxënësit që preken nga sëmundjet.