Akuzat për survejim në qendrën e Gazës, Washingtoni i tërheq vëmendjen Izraelit
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kanë dalë në pah pas raportimeve se agjentë izraelitë kanë kryer survejim ndaj forcave amerikane dhe aleatëve të tyre në Qendrën e Koordinimit Ushtarak-Civil (CCMC), e ngritur në jug të Izraelit për të menaxhuar periudhën pas luftës në Gaza.
Sipas The Guardian, anëtarë izraelitë të qendrës kanë regjistruar mbledhje, hapur ose fshehurazi, duke e detyruar komandantin amerikan, gjeneralin Patrick Frank, të kërkojë ndërprerjen e menjëhershme të praktikës.
Disa pjesëmarrës janë paralajmëruar të mos ndajnë informacione të ndjeshme, nga frika se ato mund të përdoreshin nga Izraeli. Tel Avivi i ka mohuar akuzat, duke thënë se thjesht “dokumentonte mbledhjet”.
Megjithatë, siç shkruan L’Orient Le Jour, zyrtarët amerikanë e përshkruajnë si një sistem të fshehtë survejimi, shenjë e një mosbesimi të rrallë të shprehur publikisht.
Këto zbulime nxjerrin në pah një mosbesim të thellë mes Washington-it dhe aleatit të tij më të afërt rajonal, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të zbatojë planin e tij të diskutueshëm për Gazën, i cili synon ta kalojë enklavën nën një regjim të përkohshëm ndërkombëtar.
CCMC, e vendosur në Kiryat Gat, është ngarkuar të mbikëqyrë armëpushimin, të koordinojë ndihmën humanitare dhe të përgatisë një administratë civile për Gazën, sipas planit amerikan. Megjithatë, raportet tregojnë se Izraeli ruan kontrollin e plotë mbi hyrjen e ndihmave në enklavë, duke bllokuar edhe artikuj bazë si shtyllat e tendave, letra apo produkte për pastrimin e ujit, të cilat i konsideron “me përdorim të dyfishtë”.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur agjencitë e OKB-së dhe organizatat humanitare akuzojnë Izraelin për pengimin e furnizimeve jetike, ndërsa uria po përhapet në disa rajone të Gazës.
Këto tensione shtohen nga raporte të tjera të fundit, përfshirë ato të gazetës izraelite Haaretz, që flasin për mosmarrëveshje të përsëritura mes oficerëve të dy vendeve mbi zbatimin e armëpushimit dhe autorizimin e karvaneve humanitare. Paralelisht, i dërguari amerikan në OKB, Mike Waltz, i cili vizitoi Jordaninë dhe më pas Izraelin, ka theksuar se Washingtoni mbetet i vendosur të mbështesë zbatimin e planit Trump dhe dërgimin e ndihmës jetike.
Një tjetër pikë kritike është përjashtimi i aktorëve palestinezë nga CCMC. As Autoriteti Palestinez, as shoqëria civile dhe as organizatat lokale nuk marrin pjesë në proces, ndërsa dokumentet e planifikimit shmangin përdorimin e termit “Palestinë”, duke preferuar “Gazans”. Kjo ka ngritur shqetësime se qendra mund të legjitimojë politika që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare humanitare.
Diplomatë perëndimorë paralajmërojnë se ndikimi i CCMC mund të zbehet shpejt, teksa divergjencat politike shtohen. Shumë analistë e shohin administratën Trump pa një strategji afatgjatë për Gazën, përtej ruajtjes së armëpushimit dhe një stabilizimi minimal.