New York Times e zbulon papritur krizën e kufirit të Biden-it… tani që nuk ka vlerë më

Nga Daniel McCarthy - New York Post/

New York Times ka shpikur një zhanër të ri gazetarie, t'i mbulojë historitë e mëdha që i nxjerrin keq demokratët, vite pasi ngjarjet kanë ndodhur.

Në fund të vitit 2025, Times publikoi një reportazh që zbulon se administrata Biden e mbushi vendin me emigrantë të paligjshëm, pjesërisht për arsye ideologjike dhe partiake, pjesërisht nga paaftësia.

Kush e dinte?

Artikulli prej afro 4000 fjalësh i Christopher Flavelle-it, me kontributin e 14 kolegëve në raportim dhe kërkim, është i mirëdokumentuar, por faktet nuk janë asgjë e re.

Ai analizon shkeljet dhe gabimet e Biden-it në politikën e emigracionit gjatë katër viteve të tij në detyrë.

Mirë, por pse nuk u bë kjo kur ai ishte ende në pushtet?

Emigracioni nuk është bërë problem sot, ka qenë çështja më e madhe e brendshme që nga përfundimi i COVID-it.

Madje edhe para COVID-it, që në vitin 2016, Donald Trump e vuri emigracionin në qendër të politikës presidenciale.

Në prapaskenë, demokratë pranë Biden-it flisnin për krizën dhe e dinin mirë se agjenda e tij vetëm do ta përkeqësonte situatën.

"Këshilltarët e politikave të zotit Biden dhanë alarmin që para se ai të fitonte zgjedhjet," pranon Times: "Në gusht të vitit 2020, disa ndihmës përgatitën një memorandum duke paralajmëruar rrethin e ngushtë të Biden-it se premtimet e tij" për zbatim më të butë të ligjeve të emigracionit, "të kombinuara me kërkesën e shtyrë nga vitet e Trump-it dhe vështirësitë ekonomike nga COVID-i… mund të shkaktonin një rritje të kalimeve në kufi."

Demokratët ishin plotësisht të vetëdijshëm për atë që po i sillnin vendit, dhe e bënë gjithsesi.

Votuesit e tyre nuk e dinin këtë, sepse mediat nuk bënë raportimin e guximshëm që duhej bërë për t'i informuar, deri tani.

Kjo është historia e dobësimit mendor të Biden-it, edhe një herë.

Edhe kur presidenti dukej qartë se po përkeqësohej, mediat liberale mohonin atë që ishte para syve të tyre.

Një mik, kolumnist konservator në një tjetër gazetë e madhe amerikane, më tha se e vetmja temë që ishte e ndaluar qartazi për të ishte mosha dhe dobësia shëndetësore e Biden-it.

Ky kod heshtjeje u kthye në bumerang, duke e lënë Partinë Demokrate me dy kandidatë të pazgjedhshëm në krye të listës presidenciale vitin e kaluar dhe duke e futur të Majtën në shok, kur amerikanët treguan se e dinin çfarë po ndodhte me emigracionin dhe ishin realisht të zemëruar.

Më mirë vonë se kurrë?

Artikulli "Si Biden i shpërfilli paralajmërimet dhe humbi besimin e amerikanëve për emigracionin" jep edhe një mësim tjetër të rëndësishëm, përtej faktit se çfarë ndodh kur politikat radikale nuk kritikohen nga mediat dhe kur kritikat e brendshme nga demokratë të arsyeshëm shpërfillen.

Ai tregon gjithashtu suksesin e strategjisë së guvernatorit të Teksasit, Greg Abbott, për ta dërguar drejtpërdrejt krizën e kufirit në qytetet demokrate.

Demokratët në të gjithë vendin mund t'i injoronin pasojat e emigracionit masiv për sa kohë barra kryesore binte mbi Teksasin dhe shtetet e tjera kufitare.

Teksasi është një shtet shumë republikan, dhe më shumë migrantë të varfër, me kalimin e brezave, mund ta kthenin atë në shtet demokrat, duke e anuar përgjithmonë Kolegjit Zgjedhor në favor të demokratëve.

Abbott e prishi këtë skemë duke i futur emigrantët e paligjshëm në autobusë dhe duke i dërguar në qytete demokrate në të gjithë vendin: Denver, Filadelfia, Uashington, Nju Jork.

Dhjetëra mijëra emigrantë të paligjshëm u derdhën në qytete demokrate që mendonin se emergjenca e kufirit ishte problem i dikujt tjetër.

Ishte një lëvizje fituese: "Shumë zyrtarë të administratës Biden filluan ta shihnin fushatën e zotit Abbott si pikën aty ku demokratët humbën debatin," vëren Times, dhe citon ish-ndihmësdrejtoreshën e politikave në ICE, Deborah Fleischaker: "Nuk mendoj se u rimëkëmbëm ndonjëherë."

Tani profesioni i gazetarisë duhet të pyesë nëse mund të rimëkëmbet nga ky raportim pas ngjarjeve, që duhej të ishte bërë në kohën kur ato po ndodhnin.

Plakja dhe dobësimi i Biden-it, si dhe pasojat shkatërrimtare të politikave të tij të emigracionit, në fund si për vetë demokratët, ashtu edhe për vendin, nuk janë të vetmet skandale për të cilat mediat konservatore kanë ngritur alarmin prej vitesh, pa marrë mbulimin kritik që meritonin nga mediat kryesore, edhe ato që anonin nga e majta.

Vetëm imagjinoni sikur New York Times ta shihte me të njëjtin syrin kritik alarmizmin për ndryshimet klimatike dhe të zbulonte se bota nuk po shkon drejt një fundi të zjarrtë në të ardhmen e afërt.

Do të ishte një revolucion në besueshmërinë e medias, por për momentin, mund të prisni ende vetëm lajme të përshtatshme për botim shumë kohë pasi gabimet e liberalëve bëhen tepër të dukshme për t'u injoruar.  / New York Post - Syri.net