Ina Zhupa paraqet amendament të buxhetit për përfshirjen e pagës së 13-të për mësuesit

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka depozituar në Kuvend një amendament për projektbuxhetin e vitit 2026, i cili parashikon vendosjen e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.

Amendamenti kërkon krijimin e një fondi prej 2.54 miliard lekësh për këtë qëllim, si dhe miratimin e një vendimi të Këshillit të Ministrave brenda qershorit 2026 për mënyrën e kompensimit financiar.

Sipas relacionit shoqërues, nisma synon rritjen e motivimit profesional të mësuesve, përmirësimin e kushteve ekonomike dhe afrimin e Shqipërisë me praktikat evropiane që aplikojnë shpërblime vjetore për stafin arsimor.

Zhupa thekson se paga e 13-të do të reduktojë largimet nga profesioni dhe do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e arsimit.

Postimi i plotë:

Amendament i buxhetit me qëllim përfshirjen e pagës së 13-të si shpërblim vjetor i detyrueshëm për të gjithë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar publik.

Ky amendament synon: • Rritjen e motivimit profesional të mësuesve përmes një skeme të qartë shpërblimi.

• Vlerësimin e rolit të mësuesve në formimin e brezit të ri, në përputhje me standardet e vendeve europiane.

• Përmirësimin e kushteve ekonomike të mësuesve, duke ulur presionin financiar dhe nxitur qëndrueshmërinë në profesion.

• Reduktimin e largimeve nga profesioni dhe të deficitit të mësuesve në disa profile.

Në skemën aktuale të pagave për mësuesit, pavarësisht shtesave për kualifikimin dhe vjetërsinë, nuk parashikohet një shpërblim vjetor i standardizuar në formën e pagës së 13-të.

Mësuesit përballen me: • rritje të kostove të jetesës, • barrë të madhe pune jo të paguar (korrigjime, përgatitje mësimore, punë administrative), • veçanërisht mungesë motivimi financiar krahasuar me profesione të tjera të sektorit publik.

Shumë vende europiane parashikojnë forma të shpërblimeve vjetore, bonuse apo paga të 13-ta për punonjësit e sektorit publik, veçanërisht në arsim, si mjet për të ruajtur cilësinë dhe për të motivuar stafin. Ky amendament e afron Shqipërinë me praktikat e vendeve të BE-së.

Paga e 13-të llogaritet mbi pagën bazë vjetore të mësuesit.

Ky amendament përbën një hap të domosdoshëm drejt rritjes së vlerësimit profesional të mësuesve dhe forcimit të cilësisë së sistemit arsimor.

">http://