A ka një shkallë më të lartë vdekshmërie midis njerëzve që janë vaksinuar kundër Covid? Ja rezultatet e një studimi të madh

Një analizë e vdekshmërisë midis personave të vaksinuar dhe të pavaksinuar në Francë ka zbuluar rezultate që hedhin poshtë teorinë e konspiracionit se vaksina COVID-19 rrit rrezikun e vdekjes tek personat e vaksinuar.

Një studim i ri i kryer mbi gati 30 milionë njerëz në Francë tregon se vaksinat kundër COVID-19 nuk rrisin rrezikun e vdekshmërisë, raportoi Le Monde .

Ky është një studim i grupit epidemiologjik francez Epi-Phare , i cili përbëhet nga agjencia kombëtare e ilaçeve ANSM dhe sistemi francez i sigurimeve shëndetësore.

Vaksinat e bazuara në ARN-në mesazhere (mRNA) kundër COVID-19 nuk rrisin rrezikun afatgjatë të vdekjes nga asnjë shkak, arriti në përfundimin një studim i botuar në revistën Jama Network Open , raporton portali francez RFI.

Studimi përfshinte të rritur të moshës 18 deri në 59 vjeç midis viteve 2021 dhe 2025. Rreth 23 milionë francezë morën të paktën një dozë pas fillimit të një fushate vaksinimi masiv në mesin e vitit 2021, ndërsa gjashtë milionë mbetën të pavaksinuar.

Shumica e dozave të administruara ishin vaksina mRNA të prodhuara nga Moderna ose Pfizer/BioNTech.

Gjatë katër viteve, 0.4 përqind e të vaksinuarve vdiqën nga çdo shkak, krahasuar me 0.6 përqind në popullatën e pavaksinuar, duke përfaqësuar një shkallë vdekshmërie prej rreth 50 përqind më të lartë midis të pavaksinuarve.

"Mund të themi me një nivel të lartë besimi se nuk ka rritje të rrezikut të vdekshmërisë pas vaksinës kundër COVID-it", tha për RFI-në Mahmud Zureik, drejtuesi i këtij hulumtimi.

Efektet anësore serioze, kryesisht me natyrë kardiovaskulare, siç janë miokarditi ose perikarditi, ishin të rralla.

Studimi thekson se vaksinat mbeten të dobishme në të gjitha grupmoshat, megjithëse Franca ka rekomanduar shqyrtim të kujdesshëm të përdorimit të vaksinës së Modernës tek të rriturit më të rinj.

Teoristët e konspiracionit kanë pohuar se vaksinat me ARNi po shkaktojnë valë të fshehura vdekjesh. Pas këtij studimi, shkencëtarët tani kanë një kuptim më të mirë të efekteve afatgjata të vaksinave, por ata theksojnë se vetë studimi nuk është provë se vaksinat zvogëlojnë rrezikun e vdekjes nga çdo shkak.

Diferenca në vdekshmëri midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve mund të pasqyrojë si efektin mbrojtës të vaksinave, por edhe ndryshimet demografike dhe sociale.