Rrëfimi i maestros/ Çobo: Filmi ishte një aventurë e bukur, Shkodra është qyteti që më formoi

Në një rrëfim të ndjerë në emisionin "A Show", profesori Zef Çoba ka ndarë me audiencën momentet më të rëndësishme të karrierës së tij artistike dhe lidhjen e ngushtë me qytetin e Shkodrës. Ai ka filluar duke e quajtur si një aventurë të paharrueshme pjesëmarrjen e tij në kinematografi, duke e cilësuar si një art bashkëkohor që i ka ofruar mundësinë të lidhet me një elitë artistike. Sipas tij, filmi i parë, Radiostacioni, ishte një hap i madh në karrierën e tij, dhe falë këtij filmi ai ka pasur mundësinë të kontribuonte në zhvillimin e artit të kinematografisë shqiptare.

"Ka qenë një film që për një regjisor ka qenë një sipërmarrje shumë e madhe, shumë e vështirë, sepse aty u ndërtua një kamp nga e para. Është rënë dhe hedhur sot. Më vete, si linjë. Ka qenë muzikant, ka qenë piktor, ka qenë… I ka rënë fagotit, i ka rënë fizarmonikës, ka luajtur në orkestrën simfonike të Shkodrës", ka thënë profesori, duke theksuar se koncerti i parë simfonik në Shkodër, që u zhvillua në vitin 1960, ishte një moment i rëndësishëm, dhe emri i Rikard Ljarës është i lidhur ngushtë me fagotin në atë ngjarje.

Për Zef Çobën, ky film shërbeu si një mundësi e artë për të shpërthyer dhe për t'u aktivizuar si artist. "Unë isha në Peshkopi kur fillova filmin e parë. Vazhdoja studimet dhe, përsëri, uroj që të ketë të rinj që e ndjekin këtë rrugë. Kur kam mbaruar shkollën, nuk i kam thënë vetes 'mbarove shkollën'. Mësove se si punohet. Dhe për mua, vitet deri tani janë ende një shkollë."

Në lidhje me krijimin e filmit, ai shprehu gjithashtu se ky film kërkonte një dimension simfonik për të pasqyruar dramën e kalimit nga një epokë në një tjetër, duke theksuar ndikimin që ka pasur Ismail Kadare me skenarin e tij. "Po, ky skenar ka qëndruar për një kohë të gjatë në Kinostudio dhe ka qenë guximi dhe kurajoja e Rikard Ljarës që e mori atë, sepse ky film kishte shumë skena të vështira, që kërkonin shumë mund për t'u realizuar."

Duke reflektuar për rolin e tij si muzikant dhe kompozitor, Zef Çoba theksoi se filmi përmbante shumë motive popullore, të cilat ishin përdorur në një kontekst të ri dhe që përshkruanin luftën e brendshme të individëve ndaj forcës së pushtetit.

Një moment shumë i veçantë për Zef Çobën ka qenë takimi me tre personalitetet më të rëndësishme të filmit shqiptar, pas suksesit të filmit "Radiostacioni". Drejtori i Kinostudios, Viktor Gjika, e ftoi të shkonte në Tiranë për një takim falënderimi me Rikard Ljarën, Ismail Kadarenë dhe vetë Zef Çobën, i cili sapo kishte kaluar një periudhë të rëndësishme artistike.

"Kam ndier veten fatlum që dëgjoja nga një emër kaq i madh dhe libri i tij ishte Nëntori i një kryeqyteti. Aty është pena e kurajos, me forcë dhe me mjeshtri të Ismail Kadaresë që është përdorur në atë libër", ka shtuar profesori.

Në përmbyllje, Zef Çoba ka ndarë një reflektim të veçantë për Shkodrën, qytetin e tij të lindjes. Ai ka theksuar se nuk mund të intervistosh një njeri shkodran, artist, politikan apo sportist, pa i dedikuar një respekt të veçantë qytetit të Shkodrës, që për të ka një rëndësi të veçantë. "Kemi një lloj debulesce, një tip të atij elementi shqiptar që nuk është tjetërsuar për keq ende," ka përfunduar ai.

Në këtë intervistë të mbushur me emocione, profesori Zef Çoba na kujton se arti është një udhëtim i pafund, një shkollë e vazhdueshme, dhe Shkodra, me historinë dhe kulturën e saj, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e tij si artist.