Tërmeti 2019/ ‘Të moshuarit iu hoq emri nga lista’, Zhulali: Projektbuxheti i 2026, pa transparencë nga mazhoranca
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë nisur një nismë për të zhvilluar një sërë konsultimesh publike me qytetarët dhe grupet e interesit, me synim përfshirjen e zërit të tyre në diskutimet për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Kjo lëvizje vjen si përgjigje ndaj asaj, që opozita e cilëson si mungesë totale transparence dhe dialogu nga ana e mazhorancës socialiste, duke theksuar se konsultimi i fundit i mirëfilltë me banorët ka ndodhur vite më parë.
Konsultimi i parë pritet të ndodhë pikërisht me familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019, të cilat ende nuk kanë marrë një zgjidhje për banesat e tyre të dëmtuara ose kontestojnë procesin e rindërtimit.
E ftuar në edicionin e mbrëmjes në Syri Tv, anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës në radhët e opozitës, Ilda Zhulali, ngriti alarmin për një fenomen tejet shqetësues, të moshuarit, të cilët në disa raste hiqen papritur nga listat e përfituesve.
Sipas saj, kjo ndodh me shpresën se ata do të ndërrojnë jetë përpara se bashkia të detyrohet t'u japë banesën e re, duke e cilësuar këtë si një praktikë thellësisht çnjerëzore. Seanca e dytë do të fokusohet te dialogu me përfaqësues të bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha.
Këto biznese, të cilat janë ndër taksapaguesit më të mëdhenj të qytetit, përballen me një sërë vështirësish, si gjoba të majme, taksa të përllogaritura gabim që sjellin kamatëvonesa, si dhe dëme financiare nga operacione të papritura si ai i zhvilluar gjatë verës për lirimin e hapësirave publike.
Sipas Zhulalit, këto politika po rëndojnë mbi ekonominë lokale dhe po shkaktojnë humbje të vendeve të punës.
Çështja e arsimit dhe sigurisë në shkolla do të jetë në qendër të takimit të tretë, ku janë ftuar të marrin pjesë nxënës, prindër, mësues dhe studentë.
Problemet e listuara, për opozitaren e Këshillit Bashkiak Tiranë, përfshijnë mungesën e shkollave dhe mësimin me dy turne, nevojën për rikonstruksionin e godinave ekzistuese, mungesën e konvikteve, si dhe mungesën e çerdheve e kopshteve në zonat me densitet të lartë banimi, gjë që rëndon trafikun dhe ndotjen.
Në analizën e buxhetit, Zhulali theksoi se struktura e tij nuk ndryshon nga vitet e kaluara, ku burimet kryesore të të ardhurave mbeten taksa mbi ndërtimet e reja, të cilën e lidhin me pastrimin e parave, si dhe gjobat ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Këto konsultime publike, sipas saj, synojnë të sjellin në vëmendjen e Këshillit Bashkiak shqetësimet reale të banorëve dhe të propozojnë zgjidhje konkrete, duke bërë presion që buxheti i Tiranës të reflektojë nevojat e qytetarëve dhe jo vetëm interesat e ngushta.
E rëndësishme është që pas kaq shumë kohësh dhe askush në Tiranë nuk e mban mend se kur ka qenë takimi i fundit i mirëfilltë, që ka pasur një konsultim mes banorëve dhe punonjësve të Bashkisë Tiranë dhe me pjesëmarrjen e pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, për të diskutuar për çështjen më të rëndësishme se si shpenzohen taksat që ata paguajnë. Kërkesa e përsëritur e jona prej dy vitesh në Këshillin Bashkiak të Tiranës për t'i zhvilluar këto konsultime që na ishte refuzuar, me sa duket me mungesën e Erion Veliajt u ça dhe ai muri i rrethimit dhe më në fund kjo u bë e mundur, kështu që me kërkesën tonë, ne do të zhvillojmë tre seanca konsultimesh me banorët dhe me disa grupe interesi.
Në ambientet e Bashkisë Tiranë, ku janë të ftuar të gjitha familjet që janë prekur nga tërmeti, pra kanë pasur dëmtime nga tërmeti i 2019-ës, por që nuk kanë marrë ende asnjë zgjidhje apo përgjigje nga Bashkia e Tiranës, apo ata që e kontestojnë këtë proces, sepse janë të shumtë banorët që e kanë kontestuar në vijimësi procesin e prishjeve të banesave të tyre, procesin e lidhjes së kontratave të reja pasi ato janë problematike, sipërfaqja që u jepet në këmbim banorëve është shumë e vogël. Ndonjëherë edhe u mohohet kjo e drejtë. Ka banorë që fillimisht vendosen në lista, pastaj hiqen nga lista si përfitues e kështu me radhë. Pra ka një problematikë shumë të madhe.
Mirëpo bëhet fjalë për një fond shumë të madh parash për të cilin nuk është bërë asnjëherë transparencë dhe nuk është dhënë asnjëherë llogari. Ka një fenomen veçanërisht shqetësues kohët e fundit që na është bërë me dije edhe nga banorë të ndryshëm që prek veçanërisht të moshuarit. Pra, janë të moshuar që banesa e të cilëve është dëmtuar. Ata fillimisht rezultojnë në listën e përfituesve, por për shkak se ata janë shumë të moshuar ëh, dhe Bashkia e Tiranës me sa duket pret që ata të humbin jetën dhe të mos u japë banesën në këmbim, krejt papritur i heq nga lista. Një rast i fundit ka qenë një denoncim i bërë dhe nga një gazetar përpara disa ditësh, për të cilin unë kam kërkuar informacion eksplicit nga Bashkia e Tiranës, nuk më është kthyer ende përgjigje dhe besoj që të gjitha sa pretendonte dhe zotëria e moshuar janë të vërteta për sa kohë bashkia nuk më kthen një përgjigje.
Takime të tilla ne kemi zhvilluar më herët, pak më të ngushta, për shembull për tërmetin dhe ja kemi dalë që të kthejmë prapa punonjësit e Bashkisë Tiranë. Kemi bërë dy seanca konsultimi me banorë, një të njësisë gjashtë dhe një tjetër në njësinë katër, ku bashkia donte të shemte godinën duke pretenduar se kishte pësuar dëme shumë të rënda dhe të pariparueshme, mirëpo pas konsultimit me banorët dhe pas ballafaqimit me ta doli që ajo ishte e paqenë dhe u mor vendimi që këto godina të mos prishen por të riparohen nga bashkia. Pra është e mundur që bashkia të bëjë prapa.
Po ashtu kemi mundur që me banorët e rrugës Ferit Xhajko dhe ata t'i ndihmojmë në procesin e tyre gjyqësor, duke u ballafaquar me drejtorët e Bashkisë Tiranë, për shkeljen e të gjithë procedurave që ata presupozohet se duhet të kishin ndjekur me banorët. dhe ata këto gjetje që dolën gjatë seancës sigurisht i kanë paraqitur gjatë procesit gjyqësor për një vendim në favor të tyre. Prandaj ne duam ta vazhdojmë këtë proces konsultimi dhe çdo qytetar të na bashkohet, ata që kanë vërtet probleme. Nesër ora 4:00 pasdite, në godinë e Bashkisë Tiranë, të gjitha familjet që janë të prekura nga tërmeti, që nuk kanë gjetur zgjidhje, pra duan të dinë çfarë do të ndodhi me ta dhe ata që e kanë kontestuar apo e kontestojnë procesin për atë çfarë u është ofruar nga bashkia.
Është po ashtu pjesë e një dialogu që ne duam të zhvillojmë me bizneset, pasi ato janë gjithashtu nga taksapaguesit më të mëdhenj të qytetit të Tiranës. Kështu që në këmbim ata duhet të marrin shërbime. Mirëpo ne kemi parë që ata kanë problematika nga më të ndryshmet, përfshirë gjobat majme që ata marrin për shkak se Bashkia e Tiranës për shembull, përllogarit gabimisht taksën që ato do të duhet të paguajnë dhe për shkak të këtij gabimi ose paaftësisë që ka Bashkia e Tiranës për ta llogaritur në kohë këtë taksë, ata duhet të paguajnë edhe kamatëvonesa. Mirëpo këto janë shuma të majme pasi kjo kamatëvonesë shkon për shembull një vit më pas ose dy vite më pas. Kështu që ne i kemi mbledhur të gjitha këto raste denoncimesh apo ajo çfarë ndodhi gjatë verës, që ne e pamë të gjithë publikisht, sesi edhe pas vendimit që kishte marrë Bashkia e Tiranës, me rregulla shumë të qarta për shfrytëzimin e hapësirës publike, menjëherë nisi një operacion blic me urdhër të kryeministrit që i dëmtoi bizneset.
Kjo është një çështje madje për të cilën unë e kam ngritur vazhdimisht në Këshillin Bashkiak dhe për të cilën kam një ndjeshmëri të veçantë dhe më ka prekur fakti që ende një vit pas ngjarjes askush nga shkolla ‘Fan Noli’, as drejtoresha, as mësuesja kujdestare dhe asnjë nga anëtarët e tjerë të stafit mësimor arsimor, mësuesve pra të asaj shkolle, nuk ka gjetur kurajon njerëzore për të shkuar dhe për të ngushëlluar prindërit e Martin Canit. Dhe kjo për mua është gjëja më e tmerrshme që duhet ta kishte tronditur të gjithë qytetin e Tiranës dhe çdo njeri që ka një qelizë njerëzore brenda vetes, se kjo nuk është as çështje partiake, as çështje politike. Kjo është çështje njerëzore.
Dhe nëse ata që drejtojnë një institucion arsimor nuk e gjejnë këtë kurajo njerëzore, këtë detyrim moral ndaj kësaj familjeje, çfarë presim ne që ata t'u mësojnë fëmijëve të asaj shkolle? Unë nuk pres asgjë. sepse në shkollë ti në radhë të parë çdo fëmijë shkon dhe mëson të bëhet njeri, të bëhet një qytetar i mirë. Pastaj nxë dhe në lëndët e tjera. Pa pa arritur këtë shkolla, nuk ka arritur asgjë. Kështu që për mua kjo është tronditja më e madhe dhe për më tepër që shkolla ka refuzuar dhe vendosjen e një objekti simbolik për të kujtuar Martin Canin, me gjithë refuzimet që ka bërë edhe për t'i dhënë emrin palestrës apo për vendosjen e një stoli, unë jam përpjekur që këtë të paktën ta kaloj përmes një vendimi të detyrueshëm të Këshillit Bashkiak. U mor në fakt ky vendim gjatë mbledhjes së kaluar dhe unë do ta ndjek derisa kjo gjë të realizohet, në mënyrë që të mos kalojë në heshtje dhe thashë, këto janë ndoshta gjëra shumë të vogla, por duket sikur prekin vetëm një familje, por në fakt tregojnë karakterin e një qyteti, të banorëve të një qyteti. Dhe nëse ne i lejojmë këto të rrjedhin pa vëmendje dhe thjesht si një lajm që konsumohet aty për aty, ne kemi humbur veten tonë, qytetin dhe çdo gjë.
Për të diskutuar për shkollat që mungojnë, për shkollat që duhet të rregullohen, për konviktet e studentëve që mungojnë, për kushtet në të cilat ato ndodhen, për mungesën e çerdheve, kopshteve dhe shkollave në zona që kanë një dendësi shumë të madhe banimi dhe që pastaj përkthehen në kosto shtesë financiare, në kosto për humbjen e kohës, në kuptimin e kohës që të duhet për të lëvizur nëpër Tiranë, për të dërguar fëmijët në shkolla, çerdhe apo kopshte, por edhe për ndotjen që shkakton trafiku i rënduar në Tiranë. Kështu që ka një efekt zinxhir kjo dhe për të gjitha këto ne përsëri do të diskutojmë ditë pasnesër, ditën e enjte, në orën 4:00, në ambientet e Bashkisë Tiranë.
Prandaj kjo është një thirrje e hapur për të gjithë banorët që të jenë atje, ata që kanë interes dhe që duan t'u dëgjohet zëri i tyre, pse jo të vijnë dhe me propozime konkrete dhe për t'i dhënë edhe përparësi zonave që kanë më shumë nevojë ose nevoja akute. Për të ardhur pra, e gjitha këto konsultime bëhen në kuadër të projektbuxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2026-2028, i cili në fakt në strukturë dhe fizionomi nuk ndryshon nga ai i viteve mëparshme, që do të thotë burimet kryesore të të ardhurave për buxhetin edhe për këtë vit është, janë paratë e krimit, në një farë mënyre, vartësia e madhe nga pastrimi i parave dhe paratë e krimit, sepse pjesa më e madhe e të ardhurave vjen për nga taksa e ndërtesës dhe ndërtimeve të reja që është 37% e buxhetit ose si peshë totale zë më shumë se gjysmën, 52%.