Sulmet ndaj anijeve të drogës/ Shtëpia e Bardhë: E majta po minon përpjekjet për të luftuar kartelet

Nga Madison Colombo, FOX NEWS

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, mbrojti mënyrën se si administrata Trump ka vepruar ndaj sulmeve të fundit kundër anijeve të dyshuara për trafik droge, duke akuzuar demokratët se po përpiqen të minojnë përpjekjet për të luftuar kartelet.

“Kjo tregon degjenerimin e Partisë Demokratike, që ka zbritur kaq poshtë sa po sulmon udhëheqjen tonë ushtarake,” tha Leavitt të martën në emisionin Fox & Friends.

“Ata po sulmojnë burrat dhe gratë e guximshme që kanë kryer këto sulme plotësisht brenda ligjit, duke zbatuar urdhrat e komandantit të tyre suprem,” shtoi ajo.

Komentet e saj vijnë në një kohë kur Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, po përgatitet të informojë një grup të vogël ligjvënësish republikanë dhe demokratë mbi situatën me Venezuelën. Udhëheqësit demokratë kanë kritikuar sulmet e Shtëpisë së Bardhë ndaj të ashtuquajturve narko-terroristë, me disa që i kanë quajtur ato “krime lufte”.

Por Leavitt argumenton se administrata Trump erdhi në pushtet duke premtuar masa të ashpra kundër trafikantëve të drogës dhe u zgjodh nga populli amerikan pikërisht për këtë arsye.

“Në vitin 2024, platforma në Konventën e Partisë Republikane, e shkruar nga Presidenti Trump dhe ekipi i tij, deklaronte se ‘ne do të shkatërrojmë kartelet e huaja të drogës’. Presidenti Trump bëri fushatë mbi këtë premtim. Ai po e realizon këtë,” tha ajo.

Janë regjistruar të paktën 22 sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, që kanë rezultuar në vdekjen e dhjetëra personave. Një sulm në shtator shkaktoi reagime të forta pasi ushtria ndërmori një goditje të dytë që kishte në shënjestër të mbijetuarit e sulmit të parë.

“Duhet të dimë çfarë informacioni kishte Hegseth para se të urdhëronte ekzekutimin e të gjithëve në atë anije, dhe nëse personat në bord ishin identifikuar siç duhet. Por pyetja më e madhe mbetet: a i bën amerikanët më të sigurt vrasja e njerëzve pa proces të rregullt ligjor? Unë nuk besoj se po,” shkroi senatori Mark Kelly në X.

Hegseth pritet të informojë të martën të ashtuquajturin ‘Gang of Eight’, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë të kabinetit.

“Sa herë që Presidenti Trump, Sekretari Hegseth dhe Shtëpia e Bardhë kritikohen për shkatërrimin e anijeve të drogës, ne mendojmë për amerikanë si Anne Fundner, e cila humbi djalin e saj 15-vjeçar, Weston, nga një mbidozë droge,” tha Leavitt.

“Mendoj se është diçka e shkëlqyer që Presidenti Trump më në fund po i kushton vëmendje kësaj dhe po ndërmerr veprime të forta.”