‘Nga Rama Duro’ tek ‘narko-shteti!’ Bushkolaj: Rama nën presion për Ballukun: Po ekspozon gjyqtarët para krimit

Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe kryeministri EdI Rama. Duke i trajtuar si punonjës privatë, e jo gjyqtarë që veprojnë në emër të Republikës nën pavarësinë që I jep kushtetuta, kryeministri Edi Rama shprehet se është ai që i paguan gjyqtarët dhe që u rrit pagat ndaj dhe ata duhet të marrin vendime, sipas këndvështrimit të tij. 

Edi Rama vijon trysninë ndaj Gjykatës Kushtetuese, që të matet mirë kur të marrë vendimin për zëvendësen e tij, Belinda Ballukun, pasi nuk do t’u miratojë më asnjë rritje page, qoftë anëtarëve të Kushtetuese, qoftë të tjerëve në sistemin e drejtësisë përfshirë SPAK dhe GJKKO.

I ftuar në ‘studion e Task Force redaktori I Syri Tv, Elkier Bushkolaj kujton se gjyqtarët dhe prokurorët paguhen me taksat e shqiptarëve dhe nuk janë punonjës personal të tij, ashtu siç kryeministri kërkon ti trajtojë. Gjithashtu ai akuzon Ramën se po u bën gjyq popullor gjyqtarëve duke i vënë jetën në rrezik.

“Gjyqtarët dhe prokurorët paguhen me taksat e shqiptarëve dhe jo nga sipërmarrjet private të Edi Ramës, jo nga ato studiot arkitekturore që vijnë edhe bëjnë këtu projekte pallatesh ku pastrohen para. Ne duhet të kemi parasysh diçka, Shqipëria humbet miliona euro çdo vit nga korrupsioni, pra është një faturë dramatike financiare.

 E dyta, jemi përballë skandalit, jemi përballë faktit tjetër që këto gjyqtarë do japin vendime për grupe kriminale që operojnë nga Amerika Latine deri në kryeqytetet e Bashkimit Europian. Ndoshta duhet ta kenë rrogën edhe më të lartë se ato gjyqtarët në Itali apo në Belgjikë. E gjithë kjo është hipokrizi dhe opozita duhet të këmbëngulë fort që t'ia rrëzojë këtë narrativë.

Nuk është hera e parë që bën gjyqe popullore. Po bën gjyqe popullore me çështje shumë delikate, se ato gjyqtarë po i ekspozon. Ne nuk duhet ta harrojmë çfarë i ndodhi atij ish-prokurorit të Durrësit që sot është deputet.

Është përmendur emri i Arjan Dajës në parlament. Është përmendur disa herë, jo kreu i KÇK-së, jo kjo, ajo. Dhe ai zotëria doli i ekspozuar dhe ra pre e një atentati mafioz. Kjo është e vërteta pra. Kush i parandalon grupet kriminale?" tha Bushkolaj. 

Bushkolaj analizon dhe pozitën e Ramës e cila komplikohet nga tre faktorë kryesorë që lidhen me figurën e Ballukut

"Janë tre komponentë  që Edi Ramën e vënë në pozitë të vështirë. E para është pesha që Belinda Balluku ka në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, që është e dukshme, për këdo që i ka ndjekur...

E dyta, është pesha që Belinda Balluku ka në strukturën mediatike në Shqipëri. Është një peshë që e ka specifike. Dhe e treta që është më e rëndësishmja dhe që besoj që Rama i druhet më shumë se gjithçkaje, është nëse Belinda Balluku ndjek standartin e Arben Ahmetajt.

Do ishte komplet një e penduar dhe e penduar jashtë vendit, pra të agjencitë partnere ligjzbatuese. Po, kur flasim për Ballukun, shtrohet një pyetje, pse ka presion dhe për Ballukun? Ka presion dhe për Ballukun, për shkak se Balluku ka nën varësi direkte infrastrukturën energjitike dhe rrugore të Shqipërisë, infrastrukturë që është e ndërlidhur me interesat e partnerëve tanë ndërkombëtarë, partnerëve shumë të rëndësishëm, edhe mbi të gjitha infrastrukturë që është pohuar vetë nga kreu i SPAK-ut që është e gjitha nën hetim për afera korruptive.

Normalisht, për shkak të kësaj infrastrukture, ka dhe një presion nga ndërkombëtarët për t’i dhënë drejtim kësaj çështjeje. Por ajo se çfarë e bën edhe më të vështirë pozitën e zotit Rama është fakti që kjo çështje po shkon paralelisht edhe me alarmin që po lëshon SHBA-ja çdo ditë për punën e kartelave të drogës. Dhe është një alarm që në mënyrë të pashmangshme e prek Shqipërinë. Në mënyrë të pashmangshme. Është një, një krahasim i thjeshtë fare. Mendojmë Ramën e vitit 2015-2019 kur në të gjitha mediat botërore ishte ai stari i Ballkanit, artisti, piktori. Shikoni titujt katër vitet e fundit. Nga termi ‘Rama Duro’ te termi ‘narko-shtet’. Nuk ka më media që flasin për turizmin në Shqipëri, nuk ka më media që flasin për artistin."