Irani në ankth për Mehdi Taremin, rrezikon Kupën e Botës për shkak të shërbimit ushtarak
Irani ka siguruar pjesëmarrjen e katërt radhazi në Kupën e Botës dhe të tetën në historinë e tij, duke hyrë në turne me shumë ambicie. Përfaqësuesja e drejtuar nga Amir Ghalenoei, trajneri i parë vendas që çon Iranin në një Botëror që nga viti 1998, është shortuar në një grup të ekuilibruar me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re, duke ushqyer shpresën për të kaluar fazën e grupeve, një objektiv që kombëtarja iraniane nuk e ka arritur kurrë më parë.
Megjithatë, ëndrrat e një Botërori historik mund të marrin goditje të rëndë. Mehdi Taremi, një nga figurat kryesore të ekipit, rrezikon të mos jetë pjesë e turneut për arsye politike dhe burokratike. Problemi lidhet me çështjen e shërbimit ushtarak, një temë veçanërisht e ndjeshme në Iran dhe e ndikuar nga tensionet aktuale me Shtetet e Bashkuara, një prej tri vendeve organizatore të Kupës së Botës së vitit 2026, së bashku me Kanadanë dhe Meksikën.
Sulmuesi, i cili këtë verë u transferua te Olympiacosi pas aventurave me Porton dhe një periudhe tek Interi, ka rigjetur ritmin dhe po shënon rregullisht në Greqi. Por pavarësisht formës së mirë, ai mund të përballet me ndalimin e udhëtimit jashtë vendit, nëse autoritetet iraniane e konsiderojnë të papërmbushur detyrimin e tij ushtarak.
Nëse situata nuk zgjidhet, Taremi mund të mungojë në Botëror, një goditje e rëndë për Iranin, i cili e ka ndërtuar pjesërisht projektin e tij ofensiv mbi përvojën dhe cilësinë e 33-vjeçarit. Kombëtarja e Ghalenoei-t rrezikon të humbasë një nga lojtarët më vendimtarë pikërisht në momentin kur kërkon të bëjë hapin historik drejt fazës me eliminim direkt. Të gjitha palët presin zhvillime, ndërsa frika rritet dita-ditës.