Lionel Messi shkruan sërish historinë, fiton për herë të dytë radhazi çmimin MVP në MLS

Lionel Messi vazhdon të thyejë rekorde edhe në vitin e tij të 38-të. ‘Ylli’ argjentinas është bërë futbollisti i parë në historinë e Major League Soccer që fiton çmimin ‘Landon Donovan MLS MVP’ në dy sezone radhazi, duke konfirmuar dominimin e tij absolut në futbollin amerikan.

Messi kurorëzoi një sezon fantastik 2025 duke ngritur edhe MLS Cup, pasi udhëhoqi Inter Miamin drejt fitores 3-1 ndaj Vancouver Whitecaps në finalen e së shtunës. Me një gol dhe një asist vendimtar, kapiteni i Miamit shtoi një tjetër trofe në karrierën e tij spektakolare, tashmë më të pasurën në historinë e sportit.

Statistikat e tij janë të pabesueshme: 29 gola dhe 19 asistime në vetëm 28 ndeshje të sezonit të rregullt, shifra që i siguruan Messi-t edhe Këpucën e Artë të MLS për herë të parë. Ai u bë gjithashtu lojtari i dytë në historinë e ligës që kryeson njëkohësisht renditjen e golashënuesve dhe të asistuesve, pas Sebastian Giovincos në vitin 2015.

Sezoni 2025 ishte edhe një tjetër dëshmi se, pavarësisht moshës, ndikimi i Messi-t në fushë mbetet unik. Ai vazhdon të frymëzojë një skuadër që ka ndryshuar fytyrën e saj falë prezencës së tij dhe tashmë synon ta zgjerojë epokën e re të suksesit në futbollin amerikan.

Lionel Messi, edhe një herë tjetër, e kthen të pamundurën në rutinë.