A është e sigurt të udhëtosh për në Tajlandë dhe Kamboxhia, ndërsa përshkallëzohen përplasjet kufitare?
Në korrik, një shpërthim pesë-ditor zhvendosi më shumë se 200,000 njerëz, la 40 të vdekur dhe ndikoi në fluturime dhe rrugë tokësore.
Një raund i ri luftimesh midis Tajlandës dhe Kamboxhias, ka ngritur shqetësime për udhëtarët që shkojnë në dy nga destinacionet më të njohura të pushimeve në Azinë Juglindore.
Tensionet u përshkallëzuan të hënën kur Tajlanda nisi sulme ajrore, kundër asaj që i quan instalime ushtarake përtej kufirit në Kamboxhia. Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën se qëlloi e para.
Përleshjet vijnë vetëm dy muaj pasi u njoftua një plan paqeje i ndërmjetësuar nga SHBA-të. Ato vijnë gjithashtu pas një shpërthimi të një mine tokësore në nëntor, që pengoi përpjekjet për të garantuar një armëpushim, pasi luftimet në korrik lanë 40 të vdekur dhe detyruan mbylljen e kufijve tokësorë.
Përleshjet e kësaj jave kanë zhvendosur përsëri dhjetëra mijëra njerëz. Zyrtarët tajlandezë thonë se më shumë se 125,000 njerëz tani janë strehuar në kampe të improvizuara, ndërsa Kamboxhia thotë se ka evakuuar më shumë se 21,000 nga tre provinca kufitare.
Luftimet deri më tani kanë ndodhur vetëm në zona të largëta kufitare, larg qyteteve që vizitohen zakonisht nga turistët.
Pavarësisht përleshjeve, fluturimet për në Tajlandë vazhdojnë të funksionojnë
Tailanda dhe Kamboxhia janë destinacione shumë të njohura udhëtimi gjatë pushimeve dimërore, pasi moti i ftohtë ka përfshirë pjesën më të madhe të hemisferës veriore. Por konflikti nuk i ka penguar udhëtimet dimërore dhe ende nuk ka ndikuar në qendrat kryesore turistike.
Luftimet janë larg vendeve të njohura për udhëtime, duke përfshirë Bangkok, Phuket, Chiang Mai, Siem Reap dhe Phnom Penh.
Por më herët të martën, përleshjet përgjatë kufirit Trat të Tajlandës i sollën luftimet afër ishujve turistikë Koh Chang, Koh Kood dhe Koh Mak. Nga provincat tajlandeze që kufizohen me Kamboxhian, vetëm Chanthaburi deri më tani i ka shmangur luftimet.
Pavarësisht sulmeve, një zëdhënës i autoritetit të aviacionit civil të Kamboxhias u tha gazetarëve vendas se fluturimet midis Bangkokut, Phnom Penh dhe Siem Reap vazhdojnë të operojnë normalisht, megjithëse një pjesë e hapësirës ajrore mbetet e mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm.
Megjithatë, kufijtë tokësorë janë të mbyllur për hyrje dhe dalje, që do të thotë se udhëtarët aktualisht nuk mund të kalojnë midis dy vendeve me rrugë tokësore.
Çfarë thonë këshillat kombëtare?
Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) e Mbretërisë së Bashkuar këshillon që të mos bëhen të gjitha udhëtimet, përveç atyre thelbësore, në pjesët e prekura të kufirit Tajlandë-Kamboxhia, duke përmendur të shtënat e vazhdueshme, përdorimin e artilerisë dhe praninë e minave tokësore të pashpërthyera.
Disa tempuj që shtrihen përgjatë kufirit, përfshirë Preah Vihear-in e kontestuar të Kamboxhias, i njohur si Khao Phra Wihan në Tajlandë, janë mbyllur.
Por FCDO nuk ka lëshuar një paralajmërim më të gjerë kundër udhëtimit në Tajlandë ose Kamboxhia, dhe aeroportet, vendpushimet dhe qytetet kryesore të të dy vendeve mbeten të hapura.
Udhëtarët e kujdesshëm në Mbretërinë e Bashkuar duhet të kenë parasysh se, përveç nëse këshilla paralajmëron kundër udhëtimeve në të gjithë vendin në Tajlandë ose Kamboxhia, rimbursimet nuk do të garantohen./ Euronews.