Xhixho: Rama mbron aferën e 50 milionë eurove të Ballukut! Meta dha dorëheqjen si zv/kryeministër për një video të manipuluar

Tensionet mes qeverisë dhe drejtësisë janë përshkallëzuar, pas pezullimit të ministres Belinda Balluku nga detyra, e cila akuzohet për përfshirje në një aferë korruptive që arrin vlerën e 50 milionë eurove. Kryeministri Edi Rama, i cili ka intensifikuar sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, është vënë në mbrojtje të zëvendëskryeministres, duke i cilësuar masat e ndërmarra ndaj saj si ndërhyrje të padrejtë në kompetencat e ekzekutivit.

E ftuar në edicionin informativ të lajmeve, Erisa Xhixho, deputete e Partisë së Lirisë, theksoi se tensionet mes qeverisë dhe pushtetit gjyqësor janë rritur ndjeshëm pas këtij pezullimi, duke i atribuar sulmet e Ramës ndaj drejtësisë si një tentativë për të shpërqendruar vëmendjen nga aferat e korrupsionit në qeveri. Ajo tha se, pavarësisht akuzave të rënda dhe provave të mjaftueshme që kërkonin dorëheqjen e menjëhershme të ministres, Rama po vazhdon të sulmojë sistemin gjyqësor, duke e paraqitur këtë çështje si një betejë mes institucioneve.

Xhixho paralajmëroi se sulmet e vazhdueshme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve shërbejnë për të larguar vëmendjen nga korrupsioni brenda qeverisë, duke e kthyer debatin në një përpjekje për të mbrojtur pozitat e pushtetit ekzekutiv, në vend që të përballen me përgjegjësitë e veta.

Pjesë nga deklarata:

Unë e kuptoj dhe e mirëkuptoj hallin e madh të kryeministrit Rama, si dhe faktin që zëvendëskryeministrja, sot që flasim, është e pandehur dhe është pezulluar nga funksioni i saj si ministre e infrastrukturës për një vjedhje që përflitet të jetë rreth 50 milionë euro. Pra, është një vjedhje galopante në një situatë ku populli shqiptar është ndër më të varfrit në Europë. Dhe nga ana tjetër, absolutisht që ligjërisht nuk është ndërhyrje në kompetencat e tjera, por është në bazë të parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve. Kur një ministër provohet me akuza dhe fakte për vjedhje galopante, padyshim që është në diskrecionin e prokurorisë për të marrë masa, por jo vetëm prokurorisë. Ajo e çon çështjen në gjyqësor dhe kemi një vendimmarrje nga ana e gjyqësorit.

Sot, që flasim për pezullimin e ministres, padyshim që është në logjikën e faktit që Belinda Balluku mund të prishë prova, mund të intimidojë dëshmitarë, dhe është në funksionin e hierarkisë më të lartë shtetërore. Padyshim që këtu nuk kemi ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv, sepse Kodi i Procedurës Penale e tregon qartë që, në momentin që ka një masë dhe ajo jepet jo pa shkak edhe pse është lënë një periudhë 20 ditore, dhe këtu kam diskutimet e mia profesionale përse është lënë ky afat por në momentin që shpallet akuza, duhet të merret edhe masa shtrënguese. Sepse, në momentin që akuzohesh për funksionin që ke pasur dhe për veprimet që ke ndërmarrë, siç është prishja e tenderëve në mënyrë të njëanshme dhe humbja e dy urave të cilat nuk ekzistojnë më në projektin final, kjo është një vjedhje që kap shifrën e 75 milionë eurove, duke përfshirë edhe urat. Pra, në këtë situatë, masa e parë që duhej marrë nga prokuroria ishte largimi i saj nga pozita.

Dhe, padyshim, e shohim që çdo ditë, nga mëngjesi në darkë, kryeministri del dhe jo vetëm që në një situatë normale, në një shtet demokratik, do të duhej të kishte dorëheqje nga ministria dhe shkarkim... Patjetër, sepse në çdo vend europian ndodh kështu. Mund të përmendim rastin e z. Meta, i cili ishte zëvendëskryeministër dhe, megjithëse kishte një video të manipuluar, ai mori përgjegjësinë dhe tha se do të shkojë si qytetar përpara drejtësisë.

Pikëpyetja ime profesionale është lidhur me legjitimimin. Kemi një rast të z. Berisha, ku 1/5 e deputetëve nuk u legjitimuan, dhe pikërisht për të kundërshtuar masën e tij të sigurisë, duke thënë në argumentimin e Gjykatës Kushtetuese që nuk kanë interes të drejtpërdrejtë. Edhe pse e drejta për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese është një e drejtë e pakufizuar, në rastin e z. Berisha, Gjykata Kushtetuese krijoi një precedent duke kufizuar të drejtën e ankimit të deputetëve në Gjykatën Kushtetuese. Dhe flasim për rastin konkret ku Këshilli i Ministrave, nëse përdoret e njëjta logjikë juridike, nuk do duhej ta kishte marrë fare në shqyrtim çështjen, për sa kohë...

Pikërisht, duhet të vijë subjekti i cili është... Patjetër. Për mua, nuk duhet ta legjitimonte fare si subjekt, për sa kohë që, patjetër, zonja Balluku mund të ankimojë, ka të drejtën e saj për t'u mbrojtur dhe për të kërkuar të drejtat e saj, por jo Këshilli i Ministrave, nëse i referohemi precedentit të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, jo vetëm që e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese, por është duke dalë çdo ditë në mënyrë të turpshme dhe duke thënë, "Po, nuk po arrijmë të fluturojmë në Kanada sepse nuk kemi firmën e zëvendëskryeministrit." Tjetra ishte dje, "Nuk po zgjidhim drejtuesit e ARRSH-së dhe KESH-it," ndërkohë që ka vjedhje galopante. Dhe, në vend që të japë llogari për ku janë shkuar ato miliona euro, kur sot që flasim për buxhetin...

Absolutisht. Domethënë, ai e ka sfumuar debatin dhe e ka kaluar në një debat procedural, ndërkohë që debati është politik dhe penal, për sa kohë kemi vjedhje galopante tashmë të provuara nga prokuroria, dhe prokuroria ka avancuar duke kërkuar marrjen e masave ndaj zëvendëskryeministres, si dhe duke kërkuar ndalim për pasaportën ose pezullimin nga detyra. Kryeministri, i cili flet për reformën në drejtësi dhe për pavarësinë e gjyqësorit, sulmon në mënyrë të vazhdueshme sistemin gjyqësor, dhe padyshim që i bashkangjitem deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve, që është një presion ndaj vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Fakti që kjo drejtësi ka vetëm një të pandëshkueshëm dhe që nuk prek vetëm kryeministrin, është e ditur. Kemi një precedent të Veliajt, që bëri sikur sulmonte drejtësinë, duke thënë "Mos prekni telefonin," e të tjera me radhë. Dhe mesazhi ishte se "Erioni, nuk e ke këtë goditje nga mua, por nga sistemi i drejtësisë." Ndërkohë që Nestin e dimë shumë mirë që është prodhim i Edi Ramës dhe nuk është absolutisht hetim që po ndodh për inceneratorët 5D dhe të gjithë akuzat që ka bërë opozita. Padyshim që në rastin e zonjës Balluku, ai është i përfshirë drejtpërsëdrejti në aferë, sepse është ai që ka dhënë urdhrin.

Ne nuk mund të jemi naivë që kumbullat dhe dardhat janë ngrënë pas shpinës së Edi Ramës, pa urdhrin e tij. Pra, çdo vendimmarrje që është marrë nga zonja Balluku është marrë me urdhër të Edi Ramës, por padyshim që në këtë rast të vështirë, ai e ka edhe një alibi për të thënë: "Po, mund të lëshoj dikë." Por në fund të ditës, ai është i pandëshkueshëm dhe i paprekshëm. Pra, çdo vjedhje, qoftë me inceneratorët, sterilizimin, check-up-in dhe çdo gjë tjetër, ndodhi me urdhrin e kryeministrit, por ai nuk preket. Ai nuk pyetet as për 21 janarin, edhe pse ishte organizatori kryesor, as për 17 vendimet që mori në një ditë për inceneratorët.

Pra, këtu flasim për një drejtësi të dyfishtë, dhe padyshim, kryeministri do të ushtrojë presionin e tij për të mbajtur në detyrë një zëvendëskryeministre, ose për të bërë sikur e mban, sepse mund të jetë një lojë për të treguar se po e bëj përpjekjen time. Por, në fund të ditës, është vendimi i drejtësisë. Kjo është një strukturë kriminale, një grupim i strukturuar kriminal që lidhet me këto vjedhje, dhe padyshim që në krye të tij është kryeministri Rama.