Rikthim i madh në portën ‘blaugrana’, Marc-André ter Stegen merr thirrjen e parë të sezonit

Nga Barcelona e Hansi Flick-ut vjen një lajm i shumëpritur: Marc-André ter Stegen rikthehet në listën e të grumbulluarve. Portieri gjerman është përfshirë në grupin prej 22 futbollistësh për sfidën Barcelona–Eintracht, një ndeshje që shënon edhe kthimin e ‘Camp Nou’ në Ligën e Kampionëve.

Kjo është thirrja e parë sezonale për Ter Stegen, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të problemeve të vazhdueshme në shpinë. Portieri humbi pjesën më të madhe të sezonit të kaluar dhe luajti vetëm 9 ndeshje gjatë 2024/25, tetë në La Liga dhe një në Champions.

Ndeshja e tij e fundit daton më 18 maj, në fitoren 2-3 ndaj Villarreal-it. Pas atij dueli, ai u detyrua sërish të largohej nga fusha për shkak të dëmtimeve dhe në korrik iu nënshtrua një operacioni për të kaluar problemet kronike të shpinës.

Rikthimi i tij vjen në një moment kyç për Barcelonën, me Hansi Flick-un që e konsideron Ter Stegen-in një lider të padiskutueshëm, pavarësisht konkurrencës me Joan García-n dhe Szczesny-n në portë. Tani mbetet të shihet nëse gjermani do të rikthehet menjëherë titullar apo do të menaxhohet me kujdes.

Lista e plotë e të grumbulluarve:

Portierë: Ter Stegen, Joan García, Szczesny

Mbrojtës: Balde, Cubarsí, Christensen, Gerard Martin, Kounde, Eric Garcia, Jofre

Mesfushorë: Pedri, Fermín, Casado, De Jong, Bernal, Dro Fernandez

Sulmues: Bardghji, Ferran Torres, Lewandowski, Lamine Yamal, Raphinha, Rashford