BE do të shtojë kontrollet për të zbuluar pesticidet në ushqimet e importuara

Bashkimi Evropian do të shtojë kontrollet për të zbuluar më mirë produktet ushqimore të importuara, që përmbajnë pesticide veçanërisht të dëmshme, të ndaluara në bllok.

“Nëse këto pesticide nuk lejohen në BE për arsye që lidhen me mbrojtjen e shëndetit në Evropë, ato nuk duhet të gjenden si mbetje në ushqimin tonë”, u tha gazetarëve të martën Komisioneri i Shëndetësisë i BE-së, Olivér Várhelyi.

"Këto masa do të sigurojnë që qytetarët e BE-së të vazhdojnë të përfitojnë nga nivelet më të larta të sigurisë ushqimore, ndërsa prodhuesit e BE-së të kenë kushte të barabarta loje kundrejt konkurrentëve të tyre globalë", thuhet në njoftimin e BE-së.

Kjo është për të mbrojtur konsumatorët në BE nga substancat, por edhe për të mbrojtur fermerët evropianë nga një disavantazh konkurrues, tha Várhelyi.

Várhelyi theksoi se ky veprim nuk lidhet me marrëveshjen e BE-së me bllokun tregtar të Amerikës Latine, Mercosur, i përbërë nga Argjentina, Brazili, Paraguai dhe Uruguai.

Megjithatë, njoftimi vjen ndërsa përpjekjet po intensifikohen për të filluar ratifikimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë, e cila është negociuar për më shumë se dy dekada, dhe përpara një proteste të fermerëve të planifikuar në Bruksel javën e ardhshme.

Përveç përditësimit të rregullave të BE-së mbi gjurmët e pesticideve në produktet ushqimore të importuara, Komisioni Evropian synon të rrisë numrin e auditimeve të kryera në vendet jo-evropiane, si dhe në pikat e kalimit kufitar evropian./ DPA News.