SYRI TV/ Laprakë, banorët ankohen për rrugën: Erion Veliaj na ka mashtruar, jetojmë si në Kandahar

Banorët pranë zonës së njohur si ‘Pallatet Malajziane’ në Laprakë kanë ngritur shqetësimin për gjendjen skandaloze të rrugëve të brendshme të lagjes. Ata shprehen se prej vitesh vuajnë mungesën e infrastrukturës rrugore, ndërkohë që akuzojnë kreun e bashkisë Erion Veliaj se e njeh mjaft mirë këtë problematikë, por vetëm ka bërë ‘show’ me mbjellje pemësh në këtë zonë.

Syri TV

Banorë të rrugës ‘Pashko Gjeçi’ dhe zonave përreth në Laprakë kanë ngritur shqetësimin për mungesën e investimeve në infrastrukturë. Sipas tyre, prej vitesh shteti i ka lënë në harresë, duke mos kryer asnjë investim, sidomos sa i përket infrastrukturës rrugore. Banorët theksojnë se çdo ditë përballen me një rrugë me gropa, baltë dhe ujë ndërsa shtojnë se kjo situatë bëhet më e vështirë gjatë ditëve me reshje shiu.

Banorët akuzojnë kreun e Bashkisë, Erion Veliaj se i njeh mjaft mirë problematikat në këtë zonë, pasi ka shkuar dy herë aty për të mbjellë pemë, por asnjëherë nuk është kujtuar të investojë për rrugën, edhe pse ua ka premtuar.

Edhe pse ndodhet vetëm 3 km nga qendra e Tiranës, banorët e kësaj zone shprehen se jetojnë në kushte tepër të vështira.