16 vite burg për autorin/ ‘Kampioni që ishte në fushë dhe kampioni që është në qiell’, babai i Martinit: Shkolla na la në errësirë…
Në një dalje për mediat pas vendimit të gjykatës për vrasjen e djalit të tij 14-vjeçar, babai i Martin Canit, Ëngjëll Cani, ka shprehur dhimbjen e pamasë të familjes, ndërsa ka drejtuar akuza të rënda ndaj institucionit arsimor ku studionte i biri. Ai thekson se një njoftim i thjeshtë nga shkolla mund të kishte parandaluar tragjedinë.
Duke komentuar vendimin e drejtësisë, Cani u shpreh se ndërsa avokati është marrë me anën ligjore, për familjen dhimbja mbetet e pakrahasueshme, edhe sikur dënimi për autorët të ishte burgim i përjetshëm. Ai beson se për shkak se autori është i mitur, dënimi do të përgjysmohet, duke e cilësuar këtë si një "rreze drite" për autorët, por jo një ngushëllim për familjen e viktimës.
Cani zbuloi se konflikti nuk kishte nisur ditën e ngjarjes tragjike, por më herët.
"Sherri ka ndodhur qysh të premten," deklaroi ai, duke kundërshtuar versionin se gjithçka ndodhi rastësisht. Sipas tij, shkolla ka qenë në dijeni të situatës, por ka neglizhuar të njoftojë prindërit. "Me një SMS mund të shpëtoshim një jetë," tha ai me hidhërim, duke nënvizuar se një veprim i thjeshtë nga institucioni arsimor do të kishte mjaftuar për të shmangur fatalitetin.
Ai shtoi se edhe pas ngjarjes, shkolla nuk ka treguar pendesë apo ndjeshmëri, duke përmendur vështirësitë që familja ka hasur për të vendosur një stol përkujtimor për Martinin.
I pyetur për qëndrimin e autorit në sallën e gjyqit, babai i Martinit tha se nuk kishte parë asnjë shenjë pendese.
"Unë flas për familjen time, si baba dhe si një prind që ka humbur djalin 14-vjeçar që kishte ëndrra të mëdha, dhe për dhimbjen e madhe që ka bashkëshortja ime dhe i gjithë fisi im," përfundoi ai.
Deklarata:
Ëngjëll Cani: Për punë ligjesh domethënë foli avokati. Për pjesën tonë si prindër ne jemi, besoj se kodi për të mitur përgjysmohet. Besoj që i kanë nxjerrë një rreze drite për Martinin dhe për Luizin. Gjithsesi dhimbja jonë është, e pakrahasueshme. Nuk krahasohet sikur edhe burgim të përjetshëm të ishte, është e pakrahasueshme. Gjithsesi unë kam bërë një deklaratë për shtyp, ja u kam shpërndarë miqve këtu që mund ta transmetoni.
Pyetje: A rezultoni ju të zbardhur ngjarjen, zoti Cani?
Ëngjëll Cani: Po ngjarjen e Martinit e di gjithkush sepse ka qenë në mes të Tiranës. Po ta shohësh me detaje, domethënë, ngjarja është e ditshme. Në mes të Tiranës, dihen. Po unë e kam thënë edhe një herë tjetër, në qoftë se doni me zbuluar diçka, po të ulesh me një kafene dhe përballë shkollës Fan Noli, sikur të pyesësh diçka, ai njeri ta tregon komplet ngjarjen. Pavarësisht se ne heshtim dhe heshtja shpeshherë vret.
Pyetje: Ju keni bërë një betejë me shkollën për të vendosur një stol me emrin e Martinit aty. Çfarë po ndodh me këtë?
Ëngjëll Cani: Është ajo neglizhenca dhe ajo që shkolla s'ka kërkuar as pendesë, as diçka. Nuk kemi atë shembullin, sepse mediat ndërkombëtare, nuk e di sa të informuar jeni, nga mediat gjermane, italiane që i kanë bërë jehonë Martinit. Ne i kemi të gjitha në telefon dhe i kanë bërë jehonë të madhe. Biles edhe një titull në gazetën italiane thoshte "kampioni që ishte në fushë dhe kampioni që është në qiell". Tani nuk e di çfarë të them unë se çfarë shkolla këtu dhe shoqëria këtu janë një çikë...
Pyetje: A e konsideroni ju ngjarjen të zbardhur për sa kohë nuk ka përgjegjës brenda institucioneve? Nuk ka përgjegjës brenda shkollës ku edhe ndodhi ngjarja dhe pse në një distancë prej 200 metrash? Pra, do të insistoni në këtë drejtim?
Ëngjëll Cani: Jo, këtu është, këtu është gabim. Sepse thotë 200 metra, nuk ka qenë 200 metra se sherri ka ndodhur qysh të premten. Atëherë kur flasim për sherrin qysh të premten. Kur flasim për çështjen qysh të premten dhe ne me një SMS mund të shpëtoshim një jetë, atëherë si më thua ti mua? Kur janë thënë edhe...
Pyetje: Unë thjesht pyetje po ju bëj zoti Cani. A e konsideroni ju drejtësinë e vënë në vend për sa kohë nuk ka përgjegjës brenda institucionit arsimor?
Engjell Cani: Po si, si të tregohet drejtësia? Si, si, mund ta them unë atë që shkolla ne s'na ka njoftuar? Është diçka që s'na ka njoftuar shkolla. Atëherë çfarë të them unë ty? Domethënë me një SMS shpëtoshim jetë. Një institucion që nuk tregon një...
Gazetarët: Cili është qëndrimi që ka mbajtur autori gjatë seancës? Ju keni qenë i pranishëm në sallë?
Ëngjëll Cani: Qëndrimi i autorit s'ka pasur asnjë pendesë, as diçka. Nuk, nuk mund të flas për atë. Ti mund t'i pyesësh vetë autorin, prindërit e autorit dhe tjetër. Nuk flas, unë flas për familjen time dhe si baba dhe si një prind që ka humb djalin 14-vjeçar që kishte ëndrra të mëdha. Për këto flas unë. Dhe për dhimbjen e madhe që ka bashkëshortja ime dhe i gjithë fisi im dhe familjet tona që ka. Për këtë mund të flas. Faleminderit.