Vrasja e Martin Canit/ Gjykata e Tiranës dënon me 16 vite burg Mario Përlleshajn
Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin për ngjarjen e rëndë të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë Martin Cani dhe u plagos bashkëmoshatari i tij, Luis Meçja.
Trupi gjykues vendosi dënimin me 16 vite burg për adoleshentin 15-vjeçar Mario Përlleshaj të akuzuar si autor i krimit. Mario Përlleshaj është dënuar me 12 vite për vrasjen e Martinit dhe 10 vite për tentativën e vrasjes së Luisit por në bashkim të dënimeve përfundimisht u dënua me 16 vite heqje lirie.
Vendimi erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes, e cila në seancën e kaluar kishte kërkuar rikualifikimin e veprës penale nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.
Përlleshaj, u shpall fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Martin Canit, si dhe fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë ndaj Luis Meçes.
Në seancë morën pjesë vetëm babai i të ndjerit Martin Cani dhe Luis Meçja.
Ndërkohë, prokuroria kishte kërkuar 25 vite burg, por në përfundim gjykata aplikoi kufizimet që parashikon neni 97 i Kodit Penal, sipas të cilit të miturve nuk mund t’u jepet më shumë se gjysma e dënimit maksimal për veprën përkatëse.
Si u vra Martin Cani?
Ngjarja ndodhi më 18 nëntor, vetëm pak ditë pasi një konflikt i parëndësishëm mes dy nxënësve ishte shfaqur fillimisht brenda shkollës. Të miturit u përballën sërish në tualetet e institucionit, ku ndërhyrja e rojes shmangu përkohësisht tensionin.
Pas përfundimit të mësimit, ata u takuan përsëri pranë shkollës dhe debati u shndërrua në sherr, i cili përfundoi me vrasjen e Martin Canit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëdëmtimin e autorit me të njëjtën thikë.
Pas krimit, autori hodhi çantën me mjetin prerës në një godinë të braktisur, ku u gjet më vonë nga policia dhe ku ekspertiza konfirmoi se e njëjta thikë ishte përdorur në të gjitha goditjet. Deklaratat e babait të të plagosurit, i cili pretendonte për dy autorë dhe dy thika, detyruan policinë të reagojë publikisht duke sqaruar se provat flisnin për një armë të vetme dhe asnjë person tjetër të përfshirë.
Ngjarja mori përmasa politike pasi protestat për siguri në shkolla u shtuan dhe qeveria, pas konsultimeve me prindërit, vendosi edhe mbylljen e “TikTok” si një hapësirë që nxit bullizmin dhe konfliktet mes të rinjve.