Ke frikë nga natyra? Mund të jesh një nga shumë njerëzit në botë që vuajnë nga biofobia
Një shëtitje në pyll, një ecje në mal apo një shëtitje buzë detit, për disa janë ëndërr, për të tjerë makth. Në fakt, ndërsa shumica e njerëzve e vlerësojnë natyrën, një pjesë e vogël por gjithnjë në rritje mund ta ketë frikë atë, duke ndjerë ankth, shqetësim dhe neveri ndaj ambientit të jashtëm, sipas një studimi të ri në Frontiers in Ecology and the Environment.
"Prej kohësh është menduar se njerëzit në përgjithësi kanë emocione pozitive ndaj natyrës," thotë Johan Kjellberg Jensen nga Universiteti i Lundit në Suedi. "Ne kemi studiuar të kundërtën: rastet kur njerëzit kanë marrëdhënie negative me natyrën, si lind kjo, çfarë pasojash ka dhe si mund të kthehet mbrapsht."
Biofobia. Frika nga natyra
Si qenie natyrore, logjika do të thoshte që të kishim ndjenja pozitive ndaj bimëve dhe kafshëve. Por disa studime, përfshirë ato në Trends in Ecology and Evolution dhe People and Nature, tregojnë se mendimet e njerëzve për natyrën janë shumë më të ndërlikuara. Disa ndihen të lidhur me natyrën, ndërsa të tjerë ndiejnë refuzim apo frikë prej saj.
Për të kuptuar këtë kompleksitet, Jensen dhe ekipi i tij analizuan rreth 200 studime shkencore dhe përmblodhën rezultatet e tyre. Duke shqyrtuar kërkime nga Suedia, Japonia dhe SHBA, ata krijuan një kornizë të gjerë për të studiuar shkaqet dhe pasojat e "biofobisë", si dhe mënyrat e trajtimit të saj.
Ata zbuluan se largimi apo frika nga natyra vjen nga një kombinim faktorësh: mjedisi ku jeton personi, ekspozimi ndaj natyrës dhe mediave që lidhen me natyrën, si dhe gjendja emocionale, mendore dhe fizike e individit. Korniza e tyre thekson edhe se mendimet e njerëzve për natyrën po përkeqësohen me kalimin e kohës, dhe se kjo mund të vazhdojë pasi shumica e njerëzve sot kalojnë më shumë kohë brenda.
"Urbanizimi, bashkë me qëndrimet e prindërve, mund të rritë ndjenjat negative dhe perceptimin e rrezikut nga natyra te fëmijët," shton Jensen, "gjë që bëhet edhe më e rëndësishme teksa gjithnjë e më shumë fëmijë rriten në qytete."
Si ta luftojmë frikën nga natyra
Cilado qoftë arsyeja, pasojat e biofobisë janë të qarta. Duke u përplasur me përpjekjet për ruajtjen e mjedisit dhe shëndetin publik, frika nga natyra, sipas kornizës së studiuesve, mund të krijojë armiqësi ndaj specieve të ndryshme, qoftë të rrezikshme apo të padëmshme dhe mund t'i pengojë njerëzit të përfitojnë nga të mirat që ofron natyra për shëndetin: si lehtësimi i dhimbjeve, ulja e stresit dhe përmirësimi i simptomave të ankthit dhe depresionit.
Për këtë arsye, ekipi thekson se është e domosdoshme të zgjerojmë ekspozimin tonë ndaj natyrës dhe të investojmë në hapësira natyrore për të shmangur frikën e njerëzve ndaj natyrës, sot dhe në të ardhmen.
"Fenomeni i biofobisë është i gjerë dhe kërkon mjete të ndryshme," thotë Jensen. "Në disa raste ka të bëjë me rritjen e njohurive dhe kontaktit me natyrën; në raste të tjera me uljen e pikave të konfliktit mes njeriut dhe natyrës. Duhet t'i kuptojmë më mirë mekanizmat që qëndrojnë pas emocioneve negative që të mund të ndryshojmë këtë prirje." / Discover Magazine - Syri.net