Lahuta zyrtarisht pjesë e UNESCO, pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale
Arti tradicional i të luajturit, të kënduarit dhe ndërtimit të lahutës është shpallur zyrtarisht pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale Botërore të UNESCO-s, në listën e elementeve që kanë nevojë për mbrojtje urgjente.
I rrënjosur thellë në jetën dhe historinë e shqiptarëve të veriut, ky art është trashëguar brez pas brezi në zona si Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Përmes tingullit të lahutës janë përcjellë ndër shekuj rrëfime epike dhe balada që mishërojnë vlera themelore të shoqërisë shqiptare si trimëria, nderi, besa, qëndresa dhe mikpritja.
Përfshirja në listën e UNESCO-s vjen pas një pune të gjatë kërkimore dhe dokumentuese, të realizuar nga studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge. Dosja u plotësua përmes bashkëpunimit me komunitetet vendase dhe kërkimeve të drejtpërdrejta në terren, duke u dorëzuar në mars të vitit 2024.
Ky vlerësim ndërkombëtar shënon një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së një prej shprehjeve më autentike të kulturës shqiptare, në një kohë kur traditat e hershme përballen me rrezikun e zhdukjes.