Punonjësit e pastrimit në Vlorë protestojnë kundër ndryshimit të orarit të punës

22 punonjës të pastrimit të rrugëve dhe trotuareve në Bashkinë Vlorë kanë dalë sot në protestë para institucionit, duke kundërshtuar vendimin e bashkisë për t’i kaluar nga puna gjatë natës në fshirjen e qytetit gjatë ditës. Sipas tyre, vendimi është marrë pa konsultim dhe bie ndesh me kontratat e punës të nënshkruara mes palëve. Punonjësit pretendojnë se ndryshimi i orarit nga 6 në 8 orë dhe mënyra e re e llogaritjes së pagesës do të çojë në ulje të të ardhurave të tyre mujore.

Ata theksojnë se është e pamundur të kryhet pastrimi i qytetit gjatë ditës, për shkak të qarkullimit të lartë të automjeteve dhe këmbësorëve, çka e bën punën shumë më të vështirë dhe më pak efektive.

Punonjësit shprehen se vendimi i bashkisë nuk është diskutuar me ta dhe se ndryshimet e parashikuara nuk përfshihen në kontratën e tyre të punës.

Protestuesit kanë kërkuar një takim me kryetaren e Bashkisë Vlorë. Në mungesë të saj, ata janë pritur nga përgjegjësi i burimeve njerëzore, i cili sipas përfaqësuesit të punonjësve u ka komunikuar se “vendimi është marrë” dhe nuk parashikohet të ndryshohet.

Nga ana e Bashkisë, vendimi për ta kaluar shërbimin e fshesës nga nata në ditë argumentohet si më efektiv dhe me rezultate më të mira për pastërtinë e qytetit.

Pavarësisht shpjegimeve, punonjësit tërheqin vëmendjen se nuk do ta pranojnë këtë ndryshim dhe se janë të gatshëm të ndërpresin punën deri sa të zhvillohet një takim i drejtpërdrejtë me drejtuesit e bashkisë, ku zëri i tyre të dëgjohet.

Protesta pritet të vijojë edhe ditët në vijim, nëse nuk merret një vendim i ri për çështjen e tyre.