‘Foton e Ramës e kam në shtëpi te çdo dhomë’- IRIQI bisedon me Françesko Beketin
Iriqi:- I fitove 110 milionë euro pa bërë asnjë punë.
Beketi:- Edi Rama, pa bërë asnjë punë, u bë kryeministër. Unë milionier, por ngela njeri i thjeshtë. Me plot halle e telashe. Falenderoj Zotin që m’i zgjidhi Shqipëria të tëra. Shpejt do të kërkoj të marr edhe pasaportën shqiptare.
Iriqi:- Mbase nuk ta japin.
Beketi:- Ma japin, ma japin, ndryshe i hedh në gjyq. Tani edhe kur shohin foton time, qeveritarët albanezë dhjesin nga frika. Më doli fati me këtë njeriun e gjatë. Kam bërë plot foto të Ramës dhe i kam vendosur kudo. Në shtëpi, në zyrë, në makinë. Madje dhe me kornizë. Kush është ky, mo, më pyet mamaja. Quhet Edi Rama, i them. E ç’është ky, mo? Ky për ne, o mama, është peshku i artë. Çdo dëshirë që kemi ai na i plotëson. Duam p.sh pallat të ri, fap na e ndërton Edi. Duam pushime përrallore, fap na i realizon Edi. Duam të blemë një ekip futbolli, e ble Edi e na i fal ne. Duam një jaht apo një avion, e blen Edi, mirëbërësi ynë dhe na thotë, merrini, merrini, janë tuajat.
Iriqi:- Ç’do bësh me ato 110 milionë?
Beketi:- S’janë 110, janë 150 milionë euro. Se janë dhe 40 milionë interesa. E ka vendimi i gjyqit. Lum kush të rrojë pasanik të më shojë, thotë populli i varfër albanez.
Iriqi:- Po nëse Rama nuk ka para?
Beketi:- Për ato që s’kam marrë akoma e ke fjalën? Se nja 70 milionë euro ia kam përlarë Albkontrollit. Atëherë do të detyrohet të më falë p.sh tunelin e Llogarasë. E ndërtoi populli shqiptar vërtet, por unë atje do të vendos traun. Për 50 vjet. Pasuri dhe begati e unë rri rehat, këmbë mbi këmbë në shtëpi. Më tej, me gjyqet e tjera do të më falë Skavicën dhe ishullin e Sazanit. Do ia heqë dhëndrit të Trump.
Iriqi:- Po ishullin ç’e do?
Beketi:- Të shoh që nga ishulli kur do të dalin vlonjatët në Lungomare dhe do të djegin sozitë e Ramës prej bukë peshku. Të dëshpëruar ngaqë i rrejti ata veç me një Lungomare, ndërsa mua më fali dhjetë Lungomare.
Iriqi:- D.m.th do të vish e nuk do të largohesh më nga Shqipëria?
Beketi:- A largohet ujku nga vatha e dhenve, o Iriq? Sa të jetë Rama veç pasuri do të bëj atje. Së shpejti do të hap televizionin dhe …
Iriqi:- Prapë televizion?
Beketi:- Po dhe që në emisionin e parë do të bëj një sondazh që Rama nuk i fiton zgjedhjet për bashkinë e Tiranës psh. Atje, te votat, nuk mban ai, e pasi të rrufitë tre viza, do të ma mbyllë prapë median. Hop, fitoj sërish 110 milionë euro të tjera. Makineri leku e kam kryeministrin e Atdheut të Shqiponjave. Si ai proverbi shqiptar. Fap ia fut me shkop bythës dhe ai fap nxjerr flori.
Iriqi:- Kjo është për gomarin.
Beketi:- Pse Rama nuk i ngjan? Më pasuroi mua me tre fjalë që pordhi nga goja e tij. E kupton që dhe tërmeti më i egër bën më pak dëm se sa ky… i gjati veshgjatë. Se mos harroj. Mos më thirr më Beketi. Më quaj sot e tutje, signor Bereqeti.