Vendos goli i Tsague, Elbasani mposht Vllazninë dhe ngjitet në krye të klasifikimit

Elbasani arriti një fitore të rëndësishme në “Elbasan Arena”, duke mposhtur Vllazninë 1-0 dhe duke u ngjitur në krye të klasifikimit me 29 pikë, një më shumë se Egnatia.

Përballja ishte e fortë dhe me raste të shumta para portës, por vendimtar ishte goli i vetëm i pjesës së dytë, pa harrruar faktin që Gjini i Vllaznisë u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 27-të, duke e lënë skuadrën e tij në inferioritet numerik.

Në minutën e 48-të, Loukili shërbeu saktë për Tsague, i cili me një rrotullim të shpejtë mposhti portierin Pohls, duke vendosur rezultatin përfundimtar.

Para golit, të dyja ekipet krijuan raste të pastra. Vllaznia kishte dy mundësi të mëdha, por Kallaku në minutën e 10-të përplasi topin në traversë, ndërsa më vonë gjuajtjet e Krymit dhe Tsague u ndalën nga mbrojtja dhe portieri i Elbasanit. Nga ana tjetër, vendasit provuan me Lulajn dhe Qosen, të cilët krijuan dy situata të rrezikshme, por pa gjetur rrjetën. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte tentativa e Balajt për një roveshatë pas një harkimi nga krahu i djathtë në minutën e 74-t, e cila u bllokua nga mbrojtësit.

Me këtë fitore, Elbasani konfirmon formën e mirë këtë sezon dhe merr një avantazh të rëndësishëm në garën për titull.