Trump i zhgënjyer nga Zelensky, Europa e mbron! Ende s'ka marrëveshje! Moska: BE-ja të dëgjojë SHBA-në

Volodymyr Zelensky përpiqet të dalë nga pozicioni i vështirë ku e ka vendosur Donald Trump, i cili e akuzoi për një qasje “zhgënjyese” ndaj negociatave, dhe kërkon mbështetjen e liderëve europianë për të ndërmjetësuar me Shtëpinë e Bardhë.

“Uniteti” mes aleatëve “është thelbësor”, theksoi lideri ukrainas gjatë takimeve në Londër me Keir Starmer, Friedrich Merz dhe Emmanuel Macron, përpara se të udhëtonte drejt Brukselit për takime me drejtuesit e NATO-s dhe BE-së, dhe më pas në Romë për t’u takuar me Giorgia Melonin.

“Problemi kryesor është afrimi i qëndrimeve me SHBA-të”, u shpreh presidenti francez në një takim që shërbeu për të vijuar “punën e përbashkët” për të modifikuar planin amerikan, në pritje të kontakteve të reja me Uashingtonin. Ndërkohë, Ursula von der Leyen përsëriti nevojën për të përdorur asetet ruse “për të rritur koston e luftës për Moskën”.

Sa i përket çështjeve kryesore të negociatave, ato mbeten të pandryshuara: statusi i ardhshëm i Donbasit dhe garancitë e sigurisë për Kievin.

Dita për presidentin ukrainas nisi me një tjetër kritikë nga Trump: “Po flasim me Putinin dhe me udhëheqësit ukrainas, përfshirë Zelenskyn. Duhet të them se jam pak i zhgënjyer që ai ende nuk e ka lexuar propozimin. Besoj se Rusia është dakord, nuk jam i sigurt nëse Zelensky është dakord, ndonëse njerëzve të tij u pëlqen”, deklaroi miliarderi amerikan. Zelensky u justifikua duke thënë se kishte frikë nga përgjimet dhe kishte preferuar që Umerov t’ia shpjegonte propozimin personalisht.

Situatën e vështirë ku ndodhet Kievi e përshkruan një burim ukrainas: “Putin nuk pranon asnjë marrëveshje pa territore, ndaj po kërkojnë çdo mundësi që Ukraina të bëjë lëshime territoriale”, dhe “amerikanët po ushtrojnë presion në këtë drejtim”. Sa i përket Donbasit, “ekzistojnë tre vizione të ndryshme — të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës — dhe ne nuk kemi një qëndrim të unifikuar”, pranoi Zelensky, duke përsëritur se Kievi nuk ka “as bazë ligjore dhe as morale” për të dorëzuar territore. Për garancitë e sigurisë, qëndrimi i tij mbështetet tek një mekanizëm mbrojtjeje të ndërsjellë, i ngjashëm me nenin 5 të NATO-s.

Në Downing Street, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar u rreshtuan qartë në krah të aleatit.

“Nuk ka presion” që ai të pranojë planin amerikan në formën aktuale, siguroi Starmer, ndërsa Merz shprehu “skepticizëm” për disa prej propozimeve të Uashingtonit.

Europa “ka shumë karta në dorë”, tha Macron, duke theksuar ndikimin e sanksioneve mbi ekonominë ruse. Burime të Elizesë bënë të ditur më pas se takimi në formatin katërsh u shfrytëzua për të “vijuar punën e përbashkët mbi planin amerikan, me synim integrimin e kontributeve europiane, në koordinim me Kievin”, në funksion të “diskutimeve të ardhshme mes europianëve, amerikanëve dhe ukrainasve në ditët në vijim”. Zelensky foli për “progrese të vogla drejt paqes”.

Lideri ukrainas zhvilloi më pas një videokonferencë me aleatët, përfshirë Melonin, e cila “theksoi sërish rëndësinë e unitetit të qëndrimeve mes partnerëve europianë dhe Shteteve të Bashkuara”. Në Bruksel, Zelensky pati takime edhe ballë për ballë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me Antonio Costan dhe me Ursula von der Leyen, ndërkohë që në frontin europian po shfaqen sinjale hapjeje për përdorimin e aseteve ruse në financim të Kievit. Misioni i Zelenskyt do të mbyllet në Palazzo Chigi. Më pas, tha ai, “jam gati të fluturoj drejt Shteteve të Bashkuara, nëse Trump do ta dëshirojë”.

Ndërkohë nga Moska erdhi një tjetër mesazh në linjë me qëndrimet amerikane: strategjia e re e sigurisë e Trump-it lejon “kërkimin e një terreni të përbashkët”, që shpresohet të bëjë “të reflektojë” “partinë e luftës” në Europë, deklaroi zëdhënësja e diplomacisë Maria Zakharova. Megjithatë, Dmitry Peskov theksoi se “nuk po përgatitet asnjë samit i ri Trump–Putin përpara vitit 2026”.

Ndërkohë, Prokuroria Federale ruse ka ngritur akuza ndaj dhjetëra ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve aktualë politikë e ushtarakë ukrainas për “gjenocid” ndaj rusëve në Donbas që nga viti 2014. Në listën e zezë përfshihen ish-presidenti Petro Poroshenko dhe drejtues të tjerë të lartë ukrainas — por jo Zelensky. Si për të mos e ndërprerë krejtësisht edhe fijën e fundit të negociatave me kundërshtarin.

Moska: “Ka ardhur koha që BE të dëgjojë Trump-in”
Ka ardhur koha që BE të dëgjojë Trump-in për të shpëtuar veten, deklaroi Kirill Dmitriev, këshilltar presidencial rus për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar dhe një nga negociatorët kryesorë të Moskës, duke iu referuar tensioneve mes Uashingtonit dhe Brukselit.

“Administrata Biden — shkruan ai në X — e ka kontrolluar plotësisht Brukselin, duke e shtyrë BE-në në rrugën e gabuar: emigracion masiv, qëndrim i butë ndaj krimit, rënie ekonomike dhe shoqërore”. Ai shton: “Tani, befas, burokratët e BE-së ‘nuk duan ndërhyrje nga SHBA. Ka ardhur koha ta dëgjojnë Trump dhe të shpëtojnë Europën.” /ANSA/