Sajesa e sms-ve/ Këlliçi tallet me ‘redaktorin’: U mbars mali dhe polli një mi… dëshpërim nga halli që u ka rënë

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka dhënë një mesazh të qartë në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, duke akuzuar ‘redaktorin’ Edi Rama për tentativa shantazhi përmes, siç i cilësoi ai, ‘fake news-eve të fabrikuara’.

Këlliçi deklaroi se sulmet e ditëve të fundit ndaj tij janë një shenjë frike dhe dëshpërimi nga ana e mazhorancës. Ai theksoi se nuk do të tërhiqet, por përkundrazi, këto goditje e motivojnë më shumë për të vijuar betejën politike dhe ligjore.

‘U mbars gjithë opinioni publik, që unë isha bashkëpunëtor i Ervis Berberit, që unë bashkëpunoja me të, që merrja paratë për molotovët para bashkisë, që unë merrja si drejtoheshin protestat, por u mbars mali dhe polli një mi’, tha Këlliçi.  

Ai i ka drejtuar edhe një mesazh të qartë për Edi Ramën që cilësohet si ‘redaktori’ i tyre.

‘Një mesazh të qartë e kam. Nëse mendon Carlo, apo Erion Veliaj, apo Belinda Balluku, apo redaktorin e të dyve, Edi Rama, se mund të më shantazhojnë me këto fake news-e, e kanë të kotë. Kur organizoja unë protesta me porosi të tyre në 2024, 2023, 2022, tani na dalin me pretendime të 2020-ës? Këta u mbarsën dhe pollën një mi. Unë i kam përballë’, u shpreh deputeti.

Këlliçi njoftoi se po finalizon një kallëzim të ri penal, këtë herë drejtpërdrejt kundër kryeministrit Rama, lidhur me ‘vjedhjet, abuzimet dhe shkeljet me pronat publike’. Sipas tij, dokumentet dhe provat e reja do të depozitohen në ditët në vijim.

‘Unë po përgatis një kallëzim të ri kundër Edi Ramës për të gjitha vjedhjet dhe abuzimet. Këtë radhë do të ndalemi edhe te pronat publike. Në momentin që ta depozitoj, do të vij këtu dhe do t’i bëj publike. Zërat që dalin me dokumente dhe provojnë vjedhjen e taksave të qytetarëve çdo ditë, këta mundohen t’i shantazhojnë. Por unë nuk stepem’, tha ai.

Deputeti theksoi se akuzat e tij ndaj Ramës, Belinda Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë të PS-së do të shoqërohen me dokumentacion të plotë dhe prova të reja.

‘Që nesër do të kem kallëzime të reja, prova të reja dhe fakte të reja për hajdutërinë e Edi Ramës, të Belinda Ballukut dhe të zyrtarëve të tjerë të lidhur me ta. Unë këtë detyrë kam, këtë zanat kam zgjedhur në jetë’, tha Këlliçi, duke shtuar se nuk ndikohet nga ‘sulme, spinoffe apo konstruksione propagandistike’ që synojnë të diskreditojnë kritikët e qeverisë.