Brahja: Aleksi, lojtari ynë kryesor. Kampion dimri? Më mirë kampion në fund

Egnatia u rikthye te ritmi i fitoreve, duke mposhtur Vorën 2-0 në “Egnatia Arena”. Pas ndeshjes, detyrën e prononcimit e mori zëvendëstrajneri Julian Brahja, i cili vlerësoi lart reagimin e skuadrës.

“Sot patëm një paraqitje shumë të mirë. Të gjithë lojtarët ishin maksimalisht të mobilizuar. Humbja me Flamurtarin ishte e padrejtë, një barazim do të kishte qenë më real. Sot treguam fytyrën tonë të vërtetë,” tha ai.

I pyetur për mungesën e kapitenit Aleksi, Brahja nuk e fshehu rëndësinë e tij: “Aleksi është lojtari kryesor i Egnatias. Ka tre vjet që bëjmë rotacion dhe duam t’i mbajmë të gjithë gati. Këtë herë ishte më shumë çështje menaxhimi të ngarkesës.”

Ai u ndal edhe te lëvizjet taktike: “Kjo është loja jonë tradicionale, me hapjen e Fernandos në të majtë dhe ngjitjet e vazhdueshme të Ndrecës. Është një nga mënyrat tona më efektive për të goditur.”

Brahja nuk harroi as mungesën e Tetovës: “I urojmë rikthim sa më të shpejtë. Na mungon shumë.”

Në lidhje me objektivat, zëvendës trajneri zgjodhi realizmin: “Dinamo dhe Partizani janë shumë të fortë, nuk ka sfidë të lehtë. Kampioni i dimrit? Nuk është objektiv madhor për ne. Kampion në fund, është ajo që vlen.”