Ish studenti i dhjetorit, Pecnikaj: Të rrëzojmë strukturën e hajdutëve, Shqipëria po zbrazet!

Në një fjalim me tone të forta, një prej studentëve të dhjetorit të 1990,  Ilir Pencikaj, akuzoi qeverinë për instalimin e një “kleptokracie” dhe tradhtimin e ëndrrës së Dhjetorit 1990 për një Shqipëri demokratike.

Duke iu drejtuar turmës në foltoren e kësaj të hëne, ai deklaroi se ideali për të cilin u luftua tre dekada më parë mbetet i parealizuar, pasi, sipas tij, “të bijtë e diktaturës” e kanë rikthyer sistemin e vjetër në një formë të re, duke uzurpuar çdo qelizë të jetës publike.

Pecnikaj argumentoi se situata aktuale nuk është e rastësishme, por rezultat i një plani të mirëmenduar. Sipas tij, “hajdutëria është ulur këmbëkryq në këtë qeveri” dhe ka çuar në shkatërrimin sistematik të shtyllave kryesore të shtetit.

Degradimi i arsimit, shëndetësisë dhe drejtësisë janë dëshmi të këtij shkatërrimi të qëllimshëm, u shpreh ish studenti i dhjetorit, ku oasojën më të rëndë të kësaj situate, identifikoi si plagën e emigracionit masiv.

Ai paraqiti një shifër alarmante, duke pretenduar se “në 12 vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar mbi 1.2 milionë shqiptarë”. Këtë eksod ai e cilësoi si humbjen e “filizave të rinj” dhe të një brezi të tërë që mund të ndryshonte fatin e vendit. Në pjesën e dytë të fjalimit, toni u bë edhe më thirrës, duke i nxitur qytetarët të mos dorëzohen përballë “këtyre hajdutëve dhe kriminelëve”. “Ne nuk duhet të na atrofizojnë. Ne strukturën e tyre duhet ta rrëzojmë,” u shpreh ai, duke kërkuar një reagim të fortë qytetar për të kthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë.

Duke evokuar frymën e vitit 1990, Pecnikaj bëri thirrje për një përballje “dhëmb për dhëmb” me qëllim shkatërrimin e çdo qelize të korrupsionit. Duke përmbyllur fjalën e tij me një citim të modifikuar nga At Gjergj Fishta, ai u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen për të çliruar vendin. “Ejani të mblidhemi e ta çlirojmë Shqipërinë, ta kthejmë vendin më të bukur të Europës në vendin ku duhet të jetojmë, jo ku të ngremë struktura për emigrantë,” përfundoi ai, duke theksuar se Shqipëria u përket shqiptarëve dhe jo një grupi kriminal.

Nëntori i ftohtë, dhjetori i ftohtë, solli ditë të bardha për Shqipërinë dhe shembi diktaturën. Ne kishim një ëndërr për të bërë Shqipërinë demokratike, ëndërr e cila edhe sot e kësaj dite është ngel një ëndërr e parealizuar sepse të bijtë e bushtrës të diktaturës e rikthyen përsëri të strukturuar në një kleptokraci, e cila po uzurpon çdo degë, çdo qelizë të jetës tonë. Ne tani më e dimë se hajdutëria është ulur këmbëkryq në këtë qeveri, në këtë qeverisje. Nuk është asgjë rastësore që arsimi në Shqipëri ka marrë rrugën e mellës, është shkatërruar. Nuk është rastësore që edhe shëndetësia është shkatërruar. Nuk është rastësore që drejtësia është shkatërruar. Të gjitha këto bën që Shqipërisë t'i hapet një damar i cili nuk duhet të kishte qenë kurrë, ai i emigrimit. Nuk është rastësore që Shqipërisë vetëm në këto 12 vjetët e fundit i kanë ikur mbi 1.2 milionë shqiptarë.

Mbi 1.2 milionë filiza të rij, mbi 1.2 milionë, ajo që sot të gjithë Europën kleptokratike po e kthen përmbys, që quhet gjenerata X. Por të gjitha këto që kjo qeveri ka bërë, ne nuk duhet të na atrofizojnë. Ne nuk mund të dorëzohemi përpara këtyre hajdutëve. Ne nuk mund të dorëzohemi përpara këtyre kriminelëve. Ne strukturën e tyre duhet ta rrëzojmë. Ajo që kishim në zemër në vitin '90, ne sot duhet ta kemi në zemër dhe në mendje. Që Shqipërinë ta kthejmë demokratike, që të përballemi dhëmb për dhëmb dhe t'i shkatërrojmë çdo qelizë të hajdutërisë së këtyre njerëzve.

Sepse Shqipëria është e jona. Shqipëria nuk është e një grupi kriminelësh, Shqipëria është e shqiptarëve. Prandaj në këtë ditë, ndoshta në 2013, në 1913-ën, At Gjergj Fishta do thoshte: Eja zanë ne të këndojmë, po ç'të këndojmë, të vajtojmë. Ejani të mblidhemi e ta çlirojmë Shqipërinë, ta kthejmë Shqipërinë te shqiptarët, ta kthejmë vendin më të bukur të Europës në vendin që duhet të jetojmë, jo që të ngremë këtu struktura për emigrantë. Sa struktura ka ngritur ky hajdut për moshën e tretë? Zero.