Zbulohet fatura marramendëse, Eksperti Muço: Shpopullimi - Ja sa i kushton Shqipërisë largimi i trurit të kombit
Largimi masiv i profesionistëve nga Shqipëria, i njohur ndryshe si "hemorragjia e trurit", i shkakton ekonomisë së vendit një kosto vjetore që varion nga 500 milionë deri në gati 1 miliardë euro. Kjo shifër tronditëse nxjerr në pah dëmin e thellë ekonomik që pason investimin e shtetit në formimin e të rinjve, të cilët më pas zgjedhin të ndërtojnë karrierën e tyre jashtë kufijve.
Sipas analizës së ekspertit të ekonomisë dhe financës, Klodian Muço i cili ishte i ftuar në një intervistë në Syri tv, Shqipëria po përballet me një paradoks të hidhur: një vend i varfër investon qindra mijëra euro për të arsimuar profesionistë si mjekë dhe infermierë, të cilët më pas kontribuojnë në ekonomitë e vendeve të pasura si Gjermania dhe Italia. Të dhënat tregojnë se rreth 80% e infermierëve dhe mbi 70% e mjekëve të sapoformuar në Shqipëri kanë si objektiv final largimin nga vendi.
Arsyet që i shtyjnë këta profesionistë drejt emigrimit nuk lidhen vetëm me pagat e ulëta, por me një problematikë më të gjerë që prek cilësinë e jetesës. Faktorët kryesorë përfshijnë mungesën e sigurisë në disa fusha kyçe: arsimore, shëndetësore dhe ushqimore.
Në fushën e arsimit, rezultatet e dobëta të Shqipërisë në testet ndërkombëtare si PISA tregojnë për një sistem që lë për të dëshiruar. Sistemi shëndetësor, pavarësisht kontributeve të detyrueshme, mbetet problematik dhe joefikas. Gjithashtu, siguria ushqimore është një tjetër shqetësim madhor, me raste të shumta të produkteve me nivele të larta pesticidesh apo të kontaminuara që qarkullojnë në tregun vendas pa kontrolle të rrepta.
Përtej këtyre problemeve strukturore, pamundësia ekonomike për të ndërtuar një jetë normale është një tjetër shtysë e fuqishme për largim.
Klodian Muço: Qindra mijëra euro që shkojnë për arsimimin e këtyre të rinjve. Aspekti i dytë largimi i tyre sjell, domethënë, sjell një kosto në ekonomi, sepse presupozohet që këta të rinj duhet që të punojnë për 30 deri në 40 vjet në një shtet të caktuar dhe në rastin konkret në Shqipëri, që do të derdhin kontribute e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, pra, vlerë e shtuar në ekonomi. Diskutohet që kanë një kosto nga 500 milionë euro në vit deri në gati 1 miliardë euro shkon fatura e largimit të këtyre personave.
Normalisht, duket si shifër paradoksale për të gjithë ata që nuk merren me ekonomi se thonë, ok, punë e madhe, do sjellim ca nga Bangladeshi, po vijnë të huaj pa masë nga vendet e ndryshme të botës. Por që, në të vërtetë, ti po i formon këta të rinj. Ti po i formon, ti po investon te këta të rinj dhe praktikisht shfrytëzimin e tyre për 30 apo 40 vjet të tjera, që derdhin kontributet e tyre, i shfrytëzon një shtet tjetër. Në mënyrë paradoksale, një vend i varfër, për shembull si Shqipëria, formon, 80% e infermierëve që formohen në Shqipëri, kanë si objektiv final largimin nga Shqipëria për të shkuar në Gjermani apo në Itali. Mbi 70% të mjekëve që formohen në Shqipëri, në një shtet të varfër siç është Shqipëria, kanë si destinacion final Gjermaninë, Italinë e vende të tjera të botës. Pra, vende të varfra si Shqipëria formojnë mjekë për vende të pasura si Gjermania apo Italia.
Për t'ju dhënë një shifër para rreth pesë vitesh është bërë një studim përsa i përket formimit të një mjeku në, në Itali dhe shkonte diku te 135.000 euro për të formuar një mjek, flasim vetëm formimi bazë, domethënë derisa merr diplomën e mjekut të përgjithshëm. Pastaj po të shtojmë dhe specializimin dhe eksperiencat e tjera, normalisht kosto kushton më shumë. Kështu që mendoni se sa, se sa kosto krijohen për një vend si Shqipëria që këta të rinj...
Arnold Kariqi: Pra, ka kosto mijëra euro Shqipëri për formimin e një mjeku, zoti Muço, ndërkohë që mjekët ne i formojmë dhe i dërgojmë jashtë.
Klodian Muço: I dërgojmë jashtë, po. Mbi 70% e tyre kanë si destinacion, kanë si objektiv final jo të punojnë në në tregun shqiptar, por për t'u larguar në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian, Gjermani, Itali, pra vende të zhvilluara.
Arnold Kariqi: Kjo lidhet me pagesat e dobëta, zoti Muço, me pamundësinë e punësimit, apo me jetesën mjaft të vështirë e cila, edhe nëse do punësohen këtu, sërish jetesa do të jetë e vështirë pasi e kanë të pamundur të jetojnë, paguajnë qira, të blejnë një shtëpi, pra të jetojnë si njerëz normal, se kur flasim për një doktor, kemi parasysh që kanë të ardhura të mesme të larta.
Klodian Muço: Faktorët janë disa. Aspekti i parë ka të bëjë me sigurinë, sigurinë arsimore, sigurinë shëndetësore, sigurinë ushqimore. Pra, ka të bëjë me cilësinë e jetesës në Shqipëri. Që edhe pse ti mund të kesh të ardhura shumë të larta, është vështirë që të formosh fëmijët mirë. Të gjithë e dimë që Shqipëria renditet sot si vendi i fundit në testin PISA përsa i përket kreativitetit. Pra, shkollat në Shqipëri lënë për të dëshiruar. Kemi të bëjmë me sistemin shëndetësor që edhe pse ti paguan 3.4% të të ardhurave të tua mujore i paguan si sigurime shëndetësore, përsëri sistemi shëndetësor e kemi parë që lë për të dëshiruar. Ka të bëjë me sigurinë ushqimore ku kemi parë me dhjetra raste në muajt e fundit ku si produkte shqiptare shkojnë, domethënë dhe, konsiderohen në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, Kroaci, Slloveni, Itali e të tjerë, që konsiderohen me nivel të lartë pesticidesh dhe jo të konsumueshme, por që ne në Shqipëri rrallë kemi parë raste se si këto produkte bllokohen. Apo kemi parë se si ushqime, mishi siç ishte pula për shembull me salmonelë e të tjerë që hidhet në realitet dhe hidhet për konsumin për ushqimin për qytetarët shqiptarë dhe praktikisht nuk merret asnjë masë për ata që, për ata që helmojnë qytetarët shqiptarë. Kështu që këto janë faktorët kryesorë.
Pastaj të kalojmë me rastet konkrete. Sot për të blerë një shtëpi në Shqipëri nevojitet mesatarisht rreth 19 vjet. Kjo nuk është vetëm e dhënë e nxjerrë nga Numbeo që ndoshta përpunon të dhëna gjithmonë duke, duke ja dhënë, por këtu kemi të bëjmë edhe me, këto janë të dhëna zyrtare duke marrë në konsideratë të dhënat e Eurostatit. Që nënkupton që pagat mesatare në Shqipëri sot që po flasim është diku te 860 euro bruto. Po të marrim në konsideratë që në qytetin e Tiranës, marrim gjithmonë Tiranën sepse jeton më tepër se sa 1/3 e popullsisë. Sot një apartament në Tiranë, të dhënat mesatare tregojnë që janë mbi 1500 euro për metër katror, gjithmonë marrim çmim mesatar….