SYRI TV/ Shifrat - Dita e rinisë pa të rinj, në 13 vite rinia ka pësuar tkurrje me 45%

Shumica e të rinjve shqiptarë në grupmoshën 15–29 vjeç shohin emigrimin si zgjidhjen kryesore për jetën e tyre. Megjithë përpjekjet, sistemi arsimor në vend nuk po mund të lidhet me nevojat e tregut të punës dhe cilësia e të nxënit ka pësuar ulje. Luhatjet në arsim dhe punësim e kanë çorientuar rininë, e cila, në vend që të reagojë dhe të kërkojë llogari, po zgjedh largimin.

Syri tv

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024 në të gjithë vendin kishte vetëm 405 mijë të rinj të moshës 15–29 vjeç, ose 45% më pak se në censin e vitit 2011.  Rënia e popullsisë së re në moshë më shumë sesa me paksimin e lindjeve lidhet me emigracionin e lartë.

Në arsim, të dhënat e vitit 2024–2025 tregojnë se numri i nxënësve dhe studentëve po vazhdon të tkurret. Regjistrimet në sistemin parauniversitar kanë rënë, veçanërisht në arsimin 9-vjeçar, ndërsa edhe universitetet po përballen me më pak aplikime. Megjithatë, edhe ata që diplomohen ndeshen me sfida të mëdha në tregun e punës. Punësimi i të rinjve mbetet problematik, me nivele papunësie që luhaten rreth 22% për moshat 15–29 vjeç citon monitor.

Një tjetër fenomen shqetësues është papunësia mes të diplomuarve në universitet. Kjo ndodh sepse universitetet prodhojnë më shumë specialistë në fusha si drejtësia, ekonomia dhe menaxhimi, ndërkohë që tregu kërkon profile teknike, inxhinierike, profesione të zanatit, turizëm dhe teknologji.

Sipas vlerësimeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), për çdo një mijë banorë në Shqipëri 22.1 ishin emigrantë në 38 vendet e OECD-së, një tregues që e vendos Shqipërinë shumë përpara vendeve të tjera si Rumania, Bullgaria apo Kuba. Shumica e këtyre emigrantëve, mbi 80%, janë të rinj. Niveli i lartë i emigrimit është ndoshta pasqyra e pakënaqësisë sociale dhe ekonomike të brezit të ri. Shqipëria rrezikon të futet në një spirale të gjatë të plakjes së popullsisë, mungesës së fuqisë punëtore dhe pamundësisë për të zhvilluar një ekonomi konkurruese pa rininë.