SYRI TV/ Banorët e Kreshpanit të lënë në harresë: Qeveria na ka harruar, socialistët morën votat e u zhdukën

Dhjetëra banorë të fshatit Kreshpan, bashkia Fier kanë zhvilluar një takim me deputeten e PL, Brunilda Haxhiu ku kanë ngritur një sërë shqetësimesh. Ata janë shprehur se qeveria i ka lënë tërësisht në harresë dhe se kujtohen vetëm për të marrë vota. Deputetja e PL, Haxhiu u premtoi banorëve se për shqetësimet e tyre do të ngrejë zërin në parlament.

Syri TV

Dhjetëra banorë të fshatit Kreshpan, që bën pjesë në njësinë administrative Cakran, bashkia Fier, kanë shprehur ankesat e tyre ndaj qeverisjes vendore. Ata theksojnë se, pavarësisht se deputetët socialistë morën votat e tyre në zgjedhjet e fundit, nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe infrastrukturën e fshatit. Ata kërkuan një takim me deputeten e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, për t’ia shprehur asaj çdo shqetësim. Banorët vunë theksin te mungesa e infrastrukturës, veçanërisht për rrugën që lidh fshatin Kreshpan me Vjosën. Një tjetër shqetësim që banorët ngritën ishte administrimi i rezervuarit të fshatit, që dikur përdorej për të ujitur tokat bujqësore.

Ish-kryetari i komunës Cakran, Vladimir Korçari, dhe mësuesi i njohur Ferdinant Meçe, theksuan se që pas ardhjes së socialistëve në pushtet, janë shtruar vetëm dy rrugë, ndërsa investimet për zhvillimin e infrastrukturës dhe bujqësisë janë inekzistente.

Nga ana e saj, deputetja Haxhiu u shpreh e gatshme të ngrejë shqetësimet e banorëve në Parlament.

Ajo u premtoi se do të flasë për këto probleme derisa qeveria dhe bashkia të japin përgjigje dhe të plotësojnë kërkesat e banorëve të kësaj zone.