Historia e pa treguar pas hitit të festave 'Last Christmas'

Me këngën “Last Christmas”, të cilën George Michael e regjistroi 40 vjet më parë, këngëtari u transformua nga një yll adoleshent i muzikës pop në një artist të pjekur, duke krijuar muzikë të paharrueshme.

George Michael ishte i njohur për dashurinë e tij për Krishtlindjet, prandaj vendosi të regjistronte këngën “Last Christmas”. Edhe pse ajo nuk u rendit menjëherë në vendin e parë të top-listave britanike, me kalimin e kohës u shndërrua në një klasik të padiskutueshëm të sezonit festiv. Shumë nga ata që e njihnin kujtojnë se Krishtlindjet ishin si një ritual për të – plot argëtim, veshje festive dhe humor.

Një nga shoqet e tij të ngushta, e cila u shfaq në dokumentarin e BBC-së “Two Wham!”, tregoi se George e adhuronte sezonin festiv aq shumë, saqë shpesh vishej si Babagjyshi i Vitit të Ri dhe ecte rrugëve të Londrës duke kënduar me miqtë e tij. “Krishtlindjet ishin e vetmja periudhë kur ai ishte më i madh se ai, kështu që mund të vishej si Babagjyshi i Vitit të Ri dhe të mos njihej në rrugë,” tha mikja e këngëtarit.

Ai mblodhi miqtë e tij dhe xhiroi videon e këngës së famshme me ta, sepse donte të ishte i rrethuar prej tyre në çdo moment. Me mjekër të rreme, mustaqe, një kapelë dhe paruke, mund të ecte lirshëm në rrugë, të hipte në autobusë, të shkonte në bare dhe askush nuk e njihte.

“Këndonim para një shtëpie dhe pastaj përfundonim në një pub duke shpenzuar paratë që kishim kursyer. Pastaj thoshim, ‘Në rregull, le të shkojmë atje’, dhe dikush thoshte, ‘Jo, është shumë larg për të ecur’. Kështu që hipnim në një autobus me paruke e gjithçka, dhe pastaj përfundonim në një pub tjetër duke bërë bujë,” tregoi Andrew, ish-anëtar i grupit.

Duke përshkruar dhimbjen e humbjes së mikut të tij të ngushtë, ai u shpreh në dokumentar:
“Të humbasësh një mik kaq të afërt, dikë me të cilin ke një marrëdhënie dhe një lidhje të veçantë, është një moment vërtet shkatërrues. Ai ishte në thelb gjysma ime tjetër. Nuk e imagjinova kurrë një të ardhme pa të. Mendoj se atij do t’i kishte pëlqyer të ishte këtu në këtë pikë të jetës sonë.”

Shirley zbulon se për shumë vite pas vdekjes së George ajo pati vështirësi të festonte Krishtlindjet, por me kohën e kuptoi se kjo nuk do ta kishte gëzuar atë. Ajo thotë se ende e ndjen praninë e tij në një mënyrë të veçantë, raporton The Sun. “Kur e do dikë dhe ai të do ty, kjo nuk zhduket,” tha ajo.

Dokumentari eksploron sa shumë domethënëse ishte për George arritja e ëndrrës që Wham! të merrte vendin e parë në Krishtlindje. Ishte një nga të paktat objektiva që grupi nuk e arriti në vitet e para të famës, pavarësisht hiteve si “Club Tropicana” dhe “Bad Boys”.

Në dokumentar shfaqet edhe Kathy Hill, sot 67 vjeçe, e cila ishte pjesë e videos së këngës. Dokumentari i ri e ndjek atë dhe ekipin e xhirimeve në një rikthim emocional në Saas-Fee, ku vizituan vilën zvicerane ku u xhirua pjesa më e madhe e videoklipit. Ata kujtojnë aksidente gjatë xhirimeve – përfshirë humbjen e një broshe, e cila ishte thelbësore për historinë e dashurisë së pafat në video.

Shirley shpjegon: “George ishte ai që e nisi idenë që të kishte pranë të gjithë miqtë e tij. Ai e kuptonte se puna ishte e vetmuar, udhëtonte shumë, ndaj donte të kishte rreth vetes njerëzit që i njihte mirë.”

Në premierën e filmit, Andrew kujtoi se si të gjithë shkuan për të notuar në Saas-Fee, gjë që u solli probleme me menaxherin e hotelit. Siç pritej, kishte shumë alkool, sidomos gjatë skenës së darkës, e cila nuk ishte aspak e inskenuar. Andrew piu aq shumë verë gjatë xhirimit të skenës së famshme, saqë tha: “Ishte një privilegj i vërtetë të kthehesha me miqtë e vjetër. Gjithçka dukej sikur kishte kaluar vetëm një ditë. Askush nuk kishte ndryshuar, të paktën jo në karakter.”

“Ishte një përvojë e mrekullueshme që ndanim, edhe pse na mungonte një anëtar shumë i rëndësishëm,” shtoi ai.

Andrew flet me shumë dashuri për rëndësinë që “Last Christmas” kishte për George-in, të cilin ai e thërriste “Jog”, një shkurtim i emrit të tij të vërtetë, Georgios Kyriacos Panayiotou. Edhe pse ishte një këngë festive, ajo shënoi një hap të madh në zhvillimin e tij si kompozitor – talent që më vonë e çoi drejt shitjes së më shumë se 100 milionë albumeve si artist solo.

Andrew tha: “Jog ndjeu se ishte nënvlerësuar si këngëtar dhe kompozitor, dhe mënyra më e mirë për ta treguar këtë ishte të kishte një këngë që zinte vendin e parë në top-lista.”

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të George, kënga nuk u bë numri një i Krishtlindjeve deri vitin e kaluar. Ajo më në fund arriti majën e top-listave, pjesërisht falë brezit të ri që e zbuloi dhe madje riregjistroi videon në rrjetet sociale, raporton City Magazine.

Andrew tha në dokumentar: “Të gjithë donin statusin e vendit të parë, dhe viti 2023 ishte ai vit. Fakti që ‘Wham!’ dhe ‘Last Christmas’ kanë qenë një sukses kaq i madh dhe kanë prekur kaq shumë njerëz, është vërtet i pabesueshëm. Jam mirënjohës për atë që ‘Wham!’ ka nënkuptuar për njerëzit.”