Lëvizja LGBT mendon se e zotëron Europën
Nga Jonathon Van Maren/
Pak para debatit presidencial polak me 11 prill, Karol Nawrocki vendosi një flamur polak mbi pupitrën e tij. "Unë do ta përfaqësoj," tha ai. Më pas, iu afrua podiumit të kundërshtarit të tij liberal, Rafał Trzaskowski, dhe vendosi një flamur LGBT para tij. "E kam edhe për zotin Trzaskowski, sepse ai ka kohë që i shmanget këtij simbolizmi," shtoi ai, teksa Trzaskowski e largoi me shpejtësi flamurin.
Momenti u bë viral menjëherë, sepse Nawrocki me një veprim të vetëm dhe shumë të goditur, vuri në pah një burim kryesor fuqie në Europë: lëvizjen LGBT. Trzaskowski, si kryebashkiak i Varshavës, kishte marshuar në krye të Paradës së Krenarisë, kishte kërkuar përdorimin e "përemrave të preferuar" transgjinorë dhe, më e rëndësishmja, kishte udhëzuar stafin bashkiak të trajtonte çiftet e të njëjtit seks sikur të ishin të martuar. Varshava ishte qyteti i parë polak që e bënte këtë.
🚨BREAKING: The Polish conservative candidate last night walked across the debate stage to his liberal opponent, placed an LGBT flag on his podium and said “Here, here is your flag”
— Inevitable West (@Inevitablewest) April 13, 2025
The Presidential election is in 1 month 🔥 pic.twitter.com/G2AVwwyJkb
Veprimi i Nawrocki-t do të kishte funksionuar pothuajse kudo në Europë. Vendet që vazhdojnë t'i përmbahen kulturave të tyre, trashëgimisë fetare dhe traditave të tyre përballen me një fushatë të pareshtur nga institucionet më të fuqishme të Europës për t'u përkulur para flamurit shumëngjyrësh, ose për të përballuar pasojat. Zgjedhjet kombëtare nuk kanë asnjë rëndësi për establishmentin kontinental. Nawrocki fitoi presidencën e Polonisë me 1 qershor, dhe kështu elitat LGBT kaluan menjëherë në një strategji tjetër.
Me 25 nëntor, Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi se Polonia duhet të njohë martesat e të njëjtit seks të kryera në shtete të tjera anëtare të BE-së. Vendimi godet drejtpërdrejt nenin 18 të kushtetutës polake, i cili thotë se "Martesa, si bashkim midis një burri dhe një gruaje, si dhe familja, amësia dhe atësia, janë nën mbrojtjen e Republikës së Polonisë."
Rasti nisi kur një çift homoseksual polak u martua në Berlin dhe kërkoi që martesa të regjistrohej në regjistrin civil të Polonisë. Kjo u refuzua sepse ligji polak nuk njeh martesën e të njëjtit seks. Çifti paditi shtetin. Qeveria e Koalicionit Civil dha deklarata të dykuptimta. Kryeministri Donald Tusk dhe ministri i brendshëm Marcin Kierwiński siguruan publikun se BE-ja nuk mund të diktonte ligjet polake dhe se proceset kushtetuese do të respektoheshin.
Tusk, i cili prej marrjes së detyrës po lufton kundër ligjeve konservatore polake me mjete shpesh jashtë kornizës ligjore, shtoi se "respektimi i gjykatave" është gjithashtu thelbësor, ndërsa Kierwiński sugjeroi se për të zbatuar vendimin e BE-së, "duhet të miratojmë ligjin tonë." Me fjalë të tjera: qeveria liberale ka gjasa të ndjekë taktikat e kandidatit të saj presidencial, Rafał Trzaskowski, i cili e konsideron bashkimin civil të të njëjtit seks një "hap të parë logjik." Drejt çfarë gjëje? Pyetja vetë përmban përgjigjen.
Shumë konservatorë polakë e kuptuan se vendimi i BE-së ishte një mënyrë për të hapur derën fshehurazi, duke minuar direkt kushtetutën polake duke deklaruar se njohja e martesave të të njëjtit seks të kryera jashtë vendit është thelbësore për "të drejtën themelore të respektit të jetës private dhe familjare." Presidenti Karol Nawrocki reagoi ashpër; Adam Andruszkiewicz, zëvendësshefi i kancelarisë presidenciale, e quajti këtë "një përpjekje për të anashkaluar Kushtetutën Polake" dhe theksoi se Nawrocki "nuk do t'i nënshtrohet terrorit të 'vendimeve shumëngjyrëshe'."
Nuk është vetëm Polonia. Kur Bullgaria miratoi vitin e kaluar një ligj që ndalon propagandën LGBT në shkolla, aktivistët LGBT pretenduan se ai shkelte ligjin e BE-së, Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut kërkoi nga qeveria ta rishikonte, dhe pasi presidenti Rumen Radev refuzoi ta vinte veton, i kërkoi Komisionit Europian të "ndërhynte dhe ta mbante Bullgarinë përgjegjëse." Kur Hungaria miratoi një ligj të ngjashëm në vitin 2021, kryeministri holandez Mark Rutte deklaroi se BE-ja do ta "ulte Hungarinë në gjunjë."
Në shtator, parlamenti sllovak miratoi një ndryshim kushtetues që afirmonte dy sekset biologjike, kufizonte të drejtat e birësimit vetëm për çiftet heteroseksuale, ndalonte surrogacinë, kërkonte pëlqimin prindëror për edukimin seksual dhe afirmonte sovranitetin e Sllovakisë në çështjet e "identitetit kombëtar," sidomos ato "kulturore-etike." Komisioni Europian hapi menjëherë një procedurë kundër Sllovakisë, duke kërkuar që ligji të ndryshohej për shkak të shkeljes së Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së dhe konfliktit me Strategjinë Europiane të Barazisë LGBTIQ 2020–2025.
BE-ja përpiqet të imponojë ideologjinë LGBT brenda saj duke përdorur masa për t'i ulur në gjunjë vendet që i rezistojnë kësaj agjende; jashtë saj, është bërë e qartë se rruga drejt anëtarësimit është një rrugë shumëngjyrëshe. Statusi i kandidaturës së Gjeorgjisë u bllokua papritur vitin e kaluar pasi parlamenti miratoi një paketë ligjesh që kundërshtonin ideologjinë LGBT; BE-ja ndërpreu edhe ndihmën financiare. Qeveria e Ukrainës, edhe në kushte lufte, ka gjetur kohë të miratojë legjislacion pro-LGBT për ta bërë kandidaturën e saj më tërheqëse.
Qeveritë që i rezistojnë efektit transformues të ideologjisë LGBT kanë përmendur historinë dhe kulturën e vendeve të tyre; elitat e BE-së, ndërkohë, pretendojnë në mënyrë absurde se çdo kundërshtim ndaj agjendës LGBT përputhet me qëndrimet e Moskës, sikur besimi mijëravjeçar në martesën natyrore të ishte diçka "ruse." BE-ja po praktikon kolonializëm kulturor dhe e di këtë, ndaj fajin ia hedh Rusisë për "eksportimin" e besimit se një burrë nuk bëhet grua vetëm pse e thotë, dhe se dy burra nuk mund të martohen e të kenë fëmijë. Është një taktikë e lirë por e fuqishme, dhe një truk që edhe Putini e përdor me kënaqësi.
Ne kemi nevojë për më shumë liderë si Karol Nawrocki, politikanë që janë të gatshëm të ekspozojnë shërbëtorët politikë të lëvizjes LGBT me fjalë të qarta dhe të drejtpërdrejta. Këto elita duan të ngulin flamurin LGBT në Budapest, Bratislavë dhe Tbilisi; si Nawrocki, kundërshtarët e tyre duhet t'ua vendosin flamurin para syve që të gjithë ta shohin se kujt i shërbejnë. / European Conservative - Syri.net