Një vit nga përmbysja e diktaturës së Bashar al-Assad në Siri
Pikërisht një vit më parë, Ahmed al-Shareh e habiti botën duke përmbysur diktaturën e përgjakshme të presidentit sirian Bashar al-Assad vetëm brenda pak ditësh. Kështu raportoi sot televizioni francez online BFMTV, duke vlerësuar se tashmë, si president “kalimtar”, ish-xhihadisti ka një trajektore unike, një përzierje e radikalizmit dhe pragmatizmit politik.
“El-Shareh, nga udhëheqës lufte në kreun e shtetit, pikërisht më 8 dhjetor 2024, përmbysi regjimin e diktatorit sirian Bashar al-Assad, duke i dhënë fund 14 viteve të një lufte civile vdekjeprurëse”, raporton BFMTV.
Disa javë më vonë, udhëheqësi i grupit islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS) u emërua president i përkohshëm, duke nisur një epokë të re për vendin e shkatërruar nga lufta.
Ish-udhëheqësi rebel, i cili ndërroi çallmën dhe uniformën me një kostum dhe kravatë, u bë shpejt kreu i shtetit, pothuajse si çdo tjetër.
Më 10 nëntor të këtij viti, El-Shareh u pa duke bërë shaka me Donald Trump nën tavanet e praruara të Shtëpisë së Bardhë.
Përpara kësaj vizite historike në Uashington, e para për një kryetar shteti sirian, ministri i tij i Jashtëm ndau një video të habitshme në rrjetet sociale.
Në të shihet al-Shareh duke luajtur basketboll me komandantin e forcave amerikane në Lindjen e Mesme, Brad Cooper, dhe me kreun e koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, Kevin Lambert.
Është një gjest sfidues nga një ish-xhihadist, i cili vetëm 12 vjet më parë po lëngonte në burgjet ushtarake amerikane në Irak, shkruan BFMTV.
I lindur në vitin 1982 në Arabinë Saudite, në një familje të arsimuar të klasës së mesme, babai i Ahmed el-Shareh, Hussein, është një sirian me bindje të majta, që ka punuar në industrinë lokale të naftës.
I riu Ahmed kaloi shtatë vitet e para të jetës së tij në Arabinë Saudite, përpara se të kthehej me familjen në Siri, ku jetoi në lagjen luksoze Mazeh në Damask.
Si student mjekësie, ai i braktisi shpejt studimet universitare për të frekuentuar xhaminë lokale dhe rrethet islamiste.
SHBA-të pushtuan Irakun në vitin 2003 dhe kjo ishte një pikë kthese për Ahmed el-Shareh, i cili u largua nga Siria për të luftuar kundër pushtuesve.
Menjëherë pasi iu bashkua një grupi të lidhur me Al-Kaedën, amerikanët e arrestuan.
I burgosur në disa burgje, i riu krijoi lidhje brenda rrjetit xhihadist. Ai u bë veçanërisht i afërt me rrethin e Abu Bakr al-Baghdadit, udhëheqësit të Shtetit Islamik në Irak, organizatë që do të shndërrohej në Shtetin Islamik në vitin 2014.
Më pas, El-Shareh fshehu identitetin e tij si luftëtar i huaj sirian dhe u paraqit si irakian. I konsideruar si më pak kërcënues, ai u lirua nga burgu në vitin 2009. Ai qëndroi në Irak për një kohë, përpara se të kthehej për të luftuar në Siri, ku në vitin 2011 shpërtheu një revolucion kundër Bashar al-Assad.
Me mbështetjen e al-Baghdadit, ai themeloi një qelizë sekrete, Frontin al-Nusra, për të luftuar kundër regjimit në veriperëndim të vendit.
“Shteti Islamik në Irak nuk ishte në një pozicion të mirë në atë kohë. Al-Baghdadi u tërhoq nga ideja e zgjerimit të aktiviteteve të tij në Siri, sepse atje ishte krijuar një vakum pushteti”, thanë analistët francezë.
Ahmed al-Shareh më pas mori pseudonimin e luftës Abu Muhammad al-Julani. Al-Julani i referohet Lartësive të Golanit, një territor sirian i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, ku lindi babai i tij.
I nisur me vetëm pak njerëz, Fronti al-Nusra shpejt tërhoqi dhjetëra luftëtarë.
“Ne ende pyesim veten se si al-Julani arriti t’i bindte të gjithë këta njerëz, në një kohë kur ai ishte praktikisht i panjohur”, tha analisti Thomas Pierret, i cili sugjeron si shpjegim karizmën personale të xhihadistit.
Në vijën e frontit, grupi, i klasifikuar nga SHBA-të si “organizatë terroriste”, grumbulloi një sërë suksesesh ushtarake, duke lënë në hije edhe organizatën e tij mëmë.
Marrëdhëniet midis al-Julani dhe Shtetit Islamik të Irakut u tensionuan.
“Al-Baghdadi besonte se i kishte dhënë liri veprimi, por se al-Julani po e abuzonte atë, veçanërisht duke ndjekur një linjë ideologjike tepër gjithëpërfshirëse”, shtoi Pierret.
Për shembull, al-Julani refuzoi të sulmonte disa fraksione rivale islamike ose të shënjestronte pakicat fetare.
“Edhe pse kreu bombardime, grupi synonte kryesisht objektiva strategjike. Civilët mund të jenë goditur, por rrallëherë ky ka qenë qëllimi kryesor, ndryshe nga ajo që praktikonte Shteti Islamik”, tha analisti Jerome Drevon.
Edhe pse xhihadist, udhëheqësi i Frontit al-Nusra ishte ndryshe nga të tjerët.
Al-Julani nuk donte që Siria të shkatërrohej nga luftëra sektare, si Iraku. Ai e kuptoi se ky radikalizëm në rritje nuk po çonte askund. Ai ende besonte se xhihadi, si luftë kundër pushtimit, ishte pjesë e Islamit, por mbështeste një vizion tjetër, tha Drevon.
Më vonë, duke u shkëputur fillimisht nga Shteti Islamik dhe më pas nga Al-Kaeda, “al-Julani i ktheu përfundimisht shpinën xhihadit global të karakterizuar në Perëndim nga sulme vdekjeprurëse”, sipas BFMTV.
Udhëheqësi rebel u përqendrua te Siria dhe armiku i tij i vetëm i vërtetë: Bashar al-Assad.
Në vitin 2017, ai u bashkua me koalicionin e luftëtarëve islamistë Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të cilin më vonë e udhëhoqi.
Ende objektiv i amerikanëve, al-Julani ishte po atë vit në listën e të kërkuarve. Një shpërblim prej 10 milionë dollarësh u ofrua për informacion që do të çonte në arrestimin e tij.
Në realitet, ai nuk u mbajt kurrë përgjegjës. Sipas disa ekspertëve të konfliktit sirian, al-Julani madje ndihmoi në mënyrë indirekte ushtrinë amerikane të kryente sulme kundër Al-Kaedës në zonat nën kontrollin e saj.
Nën udhëheqjen e tij, grupi HTS zhvilloi një formë administrimi lokal në provincën Idlib, ku shumë rebelë gjetën strehim pas disfatës në Aleppo në vitin 2016.
Edhe pse qartësisht i ndryshëm nga totalitarizmi i dhunshëm i Shtetit Islamik, al-Julani vendosi një formë të ashpër sundimi, të karakterizuar nga shtypja e kundërshtarëve dhe arrestime arbitrare, sipas Human Rights Watch. Megjithatë, me kalimin e kohës, sundimi i tij u zbut.
Më shumë se një dekadë pasi mori armët kundër regjimit sirian, Ahmed al-Shareh nisi ofensivën e tij përfundimtare më 27 nëntor 2024. Ishte një moment strategjik, pasi aleati i regjimit, Hezbollahu libanez, po dilte nga një luftë e ashpër me Izraelin dhe Rusia, mbrojtësja e klanit Assad, ishte e përqendruar në Ukrainë.
Nga Idlibi në Aleppo, Hama, Homs dhe, së fundmi, Damask, rebelët e HTS-së nuk hasën pothuajse asnjë rezistencë.
Al-Julani dhe forcat e tij hynë në Damask natën e 7–8 dhjetorit 2024, në fund të një ofensive të shpejtë 11-ditore. Bashar al-Assad pati kohë të largohej nga vendi me familjen, duke u drejtuar për në Moskë.
Në të gjithë vendin, turmat festuan fundin e gati gjysmë shekulli diktature. Rënia e regjimit të Hafez al-Assad dhe të birit, Bashar, nxori në dritë tmerrin e plotë të represionit.
Fituesi në betejën kundër familjes Assad nisi menjëherë transformimin e tij dhe u shndërrua në burrë shteti, duke hequr dorë nga emri i tij i luftës.
Sfida më e fundit madhore për autoritetet e reja siriane mbetet vazhdimi i operacioneve ushtarake izraelite, të cilat bombardojnë rregullisht dhe shtojnë inkursionet, duke pretenduar se luftojnë grupet islamike.
Që nga rënia e Bashar al-Assad, ushtria izraelite ka vendosur trupa në zonën e demilitarizuar të Lartësive të Golanit, e cila shërben si zonë tampon mes Sirisë dhe territoreve të aneksuara nga Izraeli.